Sot është zhvilluar takimi në mes Kryeprokurorëve të Prokurorive Themelore, Prokurorisë Speciale dhe Prokurorisë së Apelit.
Gjatë këtij takimi Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi ka kërkuar nga kryeprokurorët e prokurorive Themelore dhe asaj Speciale të Kosovës, për të rishikuar edhe njëherë lëndët e vrasjeve të personave publik, njofton Klan Kosova.
Kryeprokurori Lumezi po ashtu ka kërkuar që për këto vrasje, të merren veprime të nevojshme për të zbardhur këto raste ndonëse ka disa prej tyre të cilat sipas tij janë trajtuar dhe në kohën e kryerje së aktit.
Lumezi tha se edhe pse disa prej këtyre vrasjeve janë trajtuar, asnjëherë deri më sot nuk është arritur të zbulohet dorasi i kryesve të veprave të tilla penale, njofton Klan Kosova.
Ndërkaq po në këtë takim sipas kërkesës së Aleksandër Lumezit, të gjithë të pranishmit në detyrë zyrtare raportuan për rastet e muajit janar të 2017, secili për punën e prokurorive që ata drejtojnë si dhe për punën e secilit prej prokurorëve të kësaj prokurorie.
Vetëm gjatë muajit janar në Prokurorinë e Apelit 447 lëndët e pranuara në punë kanë përfunduar.
Ndërkaq, shtatë prokuroritë themelore gjatë muajit janar 2017 kanë pranuar në punë 1838 lëndë dhe kanë përfunduar 2824 lëndë, që do të thotë se prokurorët kanë përfunduar 986 lëndë më shumë sesa kanë pranuar në punë, thuhet në komunikatën e dërguar, njofton Klan Kosova.