Lunaçek në Gjakovë

Zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunaçek sot ka qëndruar në Gjakovë, me ç’rast është pritur nga kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila dhe bashkëpunëtorët e saj.

Në takim me përfaqësuesen evropiane, kryetarja Kusari – Lila ka folur për situatën aktuale në komunën e Gjakovës dhe rrugën që po ndjek ajo për zhvillimin e kësaj komune.

Kusari – Lila ka përmendur projektet e mëdha të cilat tashmë janë në rrugë të mirë të realizimit, siç është projekti për ujin e pijes në zonat rurale, projekti i Ngrohtores së re të qytetit, projekti i Impiantit të Ujërave të Zeza e të tjerë, projekte këto që janë duke u realizuar falë ndihmës së Komisionit Evropian apo shteteve të ndryshme evropiane.

Në takimin me Lunaçek, Kusari – Lila ka folur edhe për çështjen e të zhdukurve dhe viktimat e luftës së fundit.

Me këtë rast ajo ka thënë se ka shumë nevojë dhe përpjekje të përgjithshme që të punohet në drejtim të tejkalimit të dhimbjeve të shkaktuara nga lufta.

Ndërkaq Lunaçek ka thënë se “një tjetër aspekt i rëndësishëm të cilin unë zakonisht e përfshijë në raportet e mija është transparenca”.

“Për shembull në Gjakovë i tërë buxheti i komunës është online dhe qytetarët mund ta shohin se nga vijnë dhe ku shkojnë paratë e buxhetit. Kjo u ndihmon qytetarëve të ndjehen se qyteti është i tyre. Faleminderit për këtë që po e bën për qytetin tënd”, citohet të ketë thënë Lunaqek.

Lunacek ka rikujtuar se njëjtë sikurse niveli qendror edhe niveli lokal ka obligime karshi procesit të integrimeve evropiane dhe në këtë rast komuna e Gjakovës është një shembull i mirë të cilin duhet t ndjekin edhe komunat tjera./21Media