Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, i cili vjen nga rajoni i Drenicës, Nuredin Lushtaku shprehet i bindur se partia e Kadri Veselit do të triumfojë në zgjedhjet e 4 dhjetorit në Drenas.
Sipas tij, kandidati për kryetar nga radhët e PDK-së, Ramiz Lladrovci është personi ideal për ta udhëhequr komunën.
“Po normal, unë mendojë se do të fitojë gjithqysh PDK-ja, s’di pse po me pyet (qesh). Ramizi është personi i duhur dhe më i qëlluar për kryetar të Drenasit”, ka thënë ai për “Indeksonline”
Më tej, Lushtaku ka komentuar edhe tërheqjen e njërit prej kandidatëve më të përfolur, Naim Bazaj, i cili u regjistrua në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si kandidat i pavarur.
Deputeti nga rajoni i Drenicës tha se tërheqja e tij ka ardhur me arsye të fort, pa ndonjë presion. “Naim Bazaj e ka pa të arsyeshme mu tërheq vet dhe mos me u përça Drenasi as PDK-ja. Tani ai është së bashku me Ramizin”, ka thënë ai. /Indeksonline/