Shoqata e Malazezëve të Kosovës konsideron se këtij komuniteti i kanoset asimilimi dhe zhvendosja e sërishme nga Kosova.
“Ndonëse Qeveria e Kosovës qysh në fillim të vitit të shkuar është zotuar me garanci të fuqishme ndaj neve dhe shtetit tonë amë Malit të Zi, se në afatin sa më të shkurtër të mundur, të hartojë dhe miratojë Strategjinë mbi afirmimin dhe integrimin e bashkësisë malaziase”
“Kjo që u cek vë në dukje se avancimi i pozitës së përgjithshme të malaziasve sërish është në fund të shkallës së prioriteteve të institucioneve të Kosovës. Prandaj, në qoftë se kjo nuk ndryshon sa më shpejtë, jemi të sigurt se do të jemi dëm kolateral i grupeve dhe fraksioneve të ndryshme të interesit, sikurse që përndryshe kemi qenë edhe pas luftës në Kosovë”.
“Rreziqet e ardhshme të këtij moskujdesi institucional dhe mos respektimi i zotimeve të mara ndaj bashkësisë më të rrezikuar në Kosovë, që malazezët janë në çdo kuptim të kësaj fjale, është asimilimi ynë i tërësishëm dhe zhvendosja e familjeve më autentike të mbetura malazeze. Ndoshta në këtë moment atyre, nga të cilët varet fati ynë i mëtejmë, kjo nuk iu intereson, sepse nuk shohin aq larg sa do të duhej të shihnin, por jemi të bindur se në qoftë se nuk pushon padrejtësia në vazhdimësi ndaj popullit malazez shikuar në afat të gjatë kjo më së shumti do t’i kushtojë pikërisht Kosovës”.
Malazezët e Kosovës thonë poashtu se nuk kanë merituar një gjë të tillë dhe se “nuk i kanë nxitur institucionet e Kosovës të sillen kështu ndaj tyre”.
“Prandaj apelojmë tek institucionet e Kosovës që sa më parë, në harmoni me kushtetutën dhe ligjet, e me ndihmën e strategjisë së cekur, të na mbrojnë nga asimilimi”, thuhet në një kumtesë të kësaj shoqate, transmeton Klan Kosova.