Policia në Gjakovë ka mohuar akuzat se një shtetas i Malit të Zi po i bën një kosovari për të cilin thotë se e mbajti me dhunë për muaj të tërë duke e detyruar edhe në marrëdhënie seksuale. Për rastin informata kanë kërkuar edhe autoritetet malazeze.
Kosova dhe Mali i Zi përveç demarkacionit e kanë edhe një çështje që duhet zgjidhur. Një malazez po pretendon se pa dëshirën e tij ka kryer marrëdhënie seksuale me një shtetas të Kosovës. Ai madje po akuzon kosovarin se për pesë muaj e ka mbajtur kundër vullnetit të tij në një shtëpi në Gjakovë. Me këtë rast janë të njoftuar edhe policia e qytetit por se këta të fundit kanë një rrëfim tjetër për këtë ngjarje.
Policisë së Gjakovës, të dielën u erdhi një kërkesë zyrtare nga kolegët e tyre malazezë.
Këta të fundit duan që të informohen rreth rastit të shtetasit të tyre, L.G nga Mali i Zi, i cili i ka deklaruar autoriteteve të atjeshme se është mbajtur për muaj në Gjakovë nga E.G, njofton Klan Kosova.
Sipas malazezit, E.G fillimisht kishte kryer marrëdhënie seksuale me dëshirë, por me pas ai e ka mbajtur të mbyllur dhe ka abuzuar seksualisht me të.
Kosovari, sipas edhe të një raportit nga forumi LGBT Progres nga Mali i Zi, e ka mbajtur të mbyllur në Gjakovë për rreth 5 muaj malazezin, dhe gjatë kësaj kohe e ka dhunuar.
Mirëpo, Kristë Gjoka nga Policia e Gjakovës thotë se në rastin që është raportuar në stacionin e Gjakovës, nuk është njoftuar se ka pasur dhunë nga asnjëra palë. Sipas tij, shtetasi kosovar është ankuar se po e shantazhon ish i dashuri i tij nga Mali i Zi.
Rasti do të hapet nga e hëna pasi hetimet po i kërkon pala malazeze. Sipas Klan Kosovës dy personat janë nga komunitetet pakicë.