Jam i kënaqur që me nënshkrimin e sotëm të programit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, të dy vendet formalisht vazhdojnë bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe shkencës dhe në këtë mënyrë sigurojnë vazhdimësinë e përpjekjeve për promovimin e këtyre dy sferave sociale, prej të cilave, besoj të gjithë biemi dakord, varet në masë të madhe progresi i përgjithshëm socio-ekonomik i të dy vendeve.
Këtë e theksoi ministri i arsimit dhe shkencës Jeton Shaqiri në Sofje, pasi nënshkroi sot programin për bashkëpunim bilateral në fushën e arsimit dhe shkencës me kolegun e tij nga Bullgaria, Nikollaj Denkov.
“Besoj se ky dokument do të forcojë marrëdhëniet miqësore dhe besimin mes dy vendeve fqinje dhe se të njejtin do ta realizojmë plotësisht në periudhën të cilës i referohet, deri në fund të vitit 2025”, tha Shaqiri, duke shpjeguar se programi parashikon rrjetëzim të institucioneve arsimore dhe shkencore dhe mobilitet dhe bursa për qëndrimin e studiuesve, të cilët përmes shkëmbimit të përvojave dhe aplikimit të tyre në të dy vendet, do të avancojnë aspekte të rëndësishme si të arsimit ashtu edhe të shkencës. Pritet edhe të vendoset bashkëpunim për realizimin e shumë projekteve të përbashkëta në kuadër të programeve arsimore evropiane.
“Uroj që në të ardhmen këto fusha, së bashku me ekonominë, të mbeten fokus prioritar i të dyja vendeve dhe aktivitetet e përbashkëta të orientohen në atë drejtim, sepse kjo është ajo që i intereson qytetarëve – arsimim më i mirë dhe mundësi për ngritjen e potencialit personal, mundësi më të mira për punë dhe paga më të larta. Le të mbyllim ata kapituj të marrëdhënieve dypalëshe që shkaktojnë forma të ndryshme tensioni dhe thjesht dëmtojnë fqinjësinë e mirë”, tha Shaqri.