Maqedonia nuk do të ketë ardhme derisa shqiptarëve të drejtat ju jepen me “këste” e “kamatën” e paguajnë në çdo cikël zgjedhor

Xhevdet Pozhari

Shqiptarët e Maqedonisë janë lodhur tash e sa vite nga tryezat partiake në të cilat drejtuesit e partive shqiptare i gatuajnë interesat e veta dhe ku qëllim i parë dhe i fundit” kombëtar” është pjesëmarrja në qeveri. Liderët politik shqiptar thuajse nuk dëshirojnë ta kuptojnë se shqiptarët duan jetë të dinjitetshme dhe që edhe ata të ndjehen se iu takon shteti, e jo modelet e deritanishme që partive t’ju takojë pushteti. Për më tepër, ata në zgjedhjet parlamentare me votën e tyre dëshmuan se dëshirojnë subjekte politike shqiptare që nuk e shohin politikën si “biznes” që i pasuron drejtuesit partiak, por si profesion dhe përkushtim që popullit ia garanton një të ardhme më të mirë. E, për shqiptarët e Maqedonisë nuk ka të ardhme të mirë me politikanë të korruptuar dhe me Kushtetutën aktuale të Maqedonisë, e cila shqiptarët i diskriminon thuajse në çdo aspekt dhe i konsideron si qytetarë “të dorës së dytë”. Të marrësh pjesë në një qeveri ku do të bëhen vetëm ndryshime kozmetike të disa ligjeve sa për t’i gënjyer shqiptarët, kjo do të thotë se popullit do ia çosh dëm kohën deri në zgjedhjet e ardhshme.

Paragjykimet nuk rekomandohen gjithaq në analizat politike, por gjykuar nga bisedimet e deritanishme të LSDM’së me partitë shqiptare për formimin e Qeverisë së ardhme të Maqedonisë, krijohet përshtypja se Zoran Zaev do të arrijë me sukses ta realizojë atë që e kanë bërë partitë maqedonase në të kaluarën kur në pyetje kanë qenë kërkesat e shqiptarëve: që të blejë kohë dhe ato t’i zgjidhin “me këste”.

Andaj, që tani mund të thuhet se shqiptarët e Maqedonisë do të përfaqësohen nga pushtetarë që njëjtë si deri më tani assesi të arrijnë ta kuptojnë se sa lirë ia shesin palës maqedonase të ardhmen e popullit të vet. E, të gjithë ata që shtirren se nuk e dinë se si duhet ta ndalojnë realizimin “me këste” të kërkesave të popullit shqiptar – kamatën e të cilës e paguajnë gjithnjë shqiptarët, ja edhe përgjigjja: shfletojeni dhe ri – shqyrtoni Kushtetutën e Maqedonisë që nga neni i saj i parë e deri tek i fundit dhe do ta kuptoni lehtësisht e tillë siç është tani, ajo kushtetutë e njeh si interes shtetëror vetëm atë të popullit maqedonas.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme