Kim Mehmeti
Pas votimit të qeverisë së re të drejtuar nga LSDM’ja , Maqedonia u shkëput nga gjysma maqedonase e regjimit të deridjeshëm antishqiptarë DPMNE-BDI. Por siç duket, jo edhe nga rrugaçëria dhe banditizmi partiak shqiptar, që deri dje, i shkërbeu si mbulesë antishqiptarisë së qarqeve policore e politike të VMRO-DPMNE’së.
Andaj duket se edhe drejtuesit e sotëm të Maqedonisë, duan të sundojnë sipas mendësisë se shqiptari i korruptuar është i mirë për pushtetin, ndërkaq shqiptari i nënshtruar i dobishëm për shtetin. Edhe atë vetëm pse shqiptarin e korruptuar e kontrollon sunduesi maqedonas, ndërkaq shqiptarin e nënshtruar, e ndrydhë dhe e shtrydhë banditi partiak shqiptar!
Po pra, Maqedonia tani ka qeveri të re, por shumëçka paralajmëron se edhe e nesërmja, shqiptarëve të këtushëm, do u ofrojë po atë që e jetonin deri dje: të jenë pushtetarë pa shtet dhe të pëlqyerit e faktorit ndërkombëtarë – si komunitet ‘proevropian’ që e flijon vetveten, për ta mbrojtur shtetin!? E me çka Maqedonia i mundësohet ta blejë shumë lirë të ardhmen e shqiptarëve të këtushëm, duke i avancuar ata në këste si ‘qytetarë‘, por duke i shpërfillur e asgjësuar si shqiptarë.
Pra, Maqedonia do vazhdojë të drejtohet sipas logjikës së ndërtuesve të saj të natyrshëm – maqedonasve dhe ‘armiqve’ të saj të përjetshëm – shqiptarëve. Maqedonia pra do vazhdojë të drejtohet sipas mendësisë se shqiptarëve u bie në hise përgjegjësia dhe garantimi i stabilitetit të shtetit, e maqedonasve sundimi dhe vjelja e tij.
Po, Maqedonia e sotme ka qeveri të re. Por siç duket, edhe kjo qeveri është e ‘paketuar’ sipas mendësisë së vjetër, apo sipas logjikës të sunduesit maqedonas dhe vasalëve shqiptarë. Që do të thotë se këtij shteti edhe më tej do i duhen burrështetas të kontrolluar dhe qytetarë të nënshtruar shqiptarë. Diçka që Maqedonisë mund t’ia sigurojnë vetëm partiakët hajdut e të korruptuar shqiptarë dhe banditët e pakontrolluar të partive shqiptare. Banditë partiak shqiptarë , të cilët nuk i kap ligji, përderisa ata e dëmtojnë shqiptarinë, përderisa e kriminalizojnë shoqërinë e këtushme shqiptare dhe përderisa janë bartës të rolit kryesorë në filmin: ‘Vetëm shqiptari, ia hanë kokën shqiptarit!”
Dhe kush nuk e besoj këtë le të shëtit nëpër vendbanimet shqiptare dhe le të sheh se cilët janë të fortit e ‘mëhallëve’ të atjeshme. Si dhe le të sheh se cilët janë shumica e votuesve të LSDM’së maqedonase, me çka do e kuptojë se shqiptari bëhet më ‘shka se shkau’ kryesisht atëherë kur ndonjë ‘sasho’ i DPMNE’së, apo ndonjë ‘verushevski’ i LSDM’së, i ofron atij siguri, edhe atëherë kur merret me hajni!
Po pra, Maqedonia e sotme është shkëputur nga pjesa maqedonase e regjimit më shkatërrimtarë e më antishqiptarë që ka pasur ndonjëherë gjer më tani ky vend, nga regjimi DPMNE-BDI, por siç duket, jo edhe nga mendësia se, sa më të ulët e ka politikani shqiptarë moralin, aq më të butë duhet ta ketë kolltukun e pushtetarit. Gjë të cilën në njëfarë mënyre e dëshmon pjesa shqiptare e qeverisë së re të LSDM’së, e kësaj qeveria që ngjanë në ‘kazan’ të mbushur me mbeturinat politike shqiptare, që duhen recilkluar për përdorim të mëtejmë. E ku bëjnë pjesë qeveritarë të deridjeshëm të BDI’së dhe disa nga ‘bashkuesit’ e deridjeshëm të opozitës shqiptare, ‘opozitarë’ që të shajnë me të gjallë e të vdekur, që të shpallin ‘qafir’, ‘malok’ e kopil, vetëm pse u thua: o të sëmurë për pushtet, shituni ku të doni e kujt të doni, por mos e përbuzni popullin tuaj duke ia dëshmuar palës maqedonas se s’ka shqiptar që nuk shitet, por ka sundues maqedonas që atë nuk donë ta blejë!
Dhe pas gjithë kësaj që u tha më lartë, shtrohet pyetja: çka duhet bërë shqiptarët e Maqedonisë? Artikullshkruesi nuk pretendon se i dinë përgjigjet e të gjitha pyetjeve, por sa për vete, ndjehet mburrshëm kur i dëgjon fjalimet e deputetëve të Lëvizjes Besa. Fjalime dhe veprime politike që ia shtojnë besimin se politikës së shqiptarëve të Maqedonisë, i kthehet mençuria dhe ndershmëria. Dhe pa marrë parasysh se çka thuhet për këtë Lëvizje, autori i këtij teksti e pranon se gjithmonë do jetë përkrahë të mençurve dhe të ndershmëve, si dhe kundër injorancës dhe banditizmit partiak, që e çoi popullin e këtushëm shqiptarë ta humb besimin në vetveten.
Autori i këtij teksti gjithashtu e shpalosë edhe bastin e vet publik se, nëse Maqedonia nuk hekë dorë nga mendësia përbuzëse ndaj shqiptarisë, atëherë ajo është duke e ecur dhjetëvjeçarin e saj të fundit. Ecje që do varet edhe nga rritja e numrit të shqiptarëve të Maqedonisë, që do flasin shqip, por do mendojnë maqedonisht! Pra që do varet sa do jetë i suksesshëm projekti i LSDM’së për prodhimin e shqiptarëve me mendësi ‘qytetare’, por që do votojnë për partitë maqedonase. Edhe atë në këtë Maqedoni ku – siç tregojnë gjitha anketat – mund të gjesh maqedonas që do votonin për ndonjë parti rome, turke apo serbe, por as një të vetëm, që do mbështeste ndonjë parti ‘armike’ shqiptare! Pra në këtë Maqedoni e cila thuajse e synon të pamundurën: që shqiptarët e këtushëm të mos ëndërrojnë shqip, por maqedonisht! Synim që e mbështesin edhe disa qarqe zyrtare në Tiranë e Prishtinë, ku heroizohen shqiptarët që flasin shqip, e mendojnë maqedonisht, por demonizohen ata që thonë: më shumë se sa Maqedonisë, i besojmë shqiptarisë dhe Zotit!