Maqedonia vetëm për kamata ka paguar 560 milionë euro

Borxhi publik i Maqedonisë në vitin 2010 ishte 1.93 miliardë euro apo 27.2 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, shkruan gazeta KOHA.

Gjashtë vite më vonë apo në 2016, ai arriti në 4,71 miliardë euro, gjegjësisht 50.1 të PBB-së, ndërsa sivjet do të arrijë në shifrën rekord prej pesë miliardë euro. Nga ana tjetër, në periudhën 2010-2016, vetëm për kamata të borxhit publik janë paguar 557 milionë euro. Ekonomistët thonë se Maqedonia vështirë se mund të mbijetojë pa borxhe të reja edhe në të ardhmen, por megjithatë kërkojnë që huazimet e reja të rrisin mundësinë e ekonomisë vendore që të mos ketë probleme me kthimin e borxheve, duke investuar në projekte produktive infrastrukturore.

Sipas profesorit universitar, Neritan Turkeshi, huazimet e deritanishme, së bashku me kamatat, nuk kanë mbështetur rritjen ekonomike më të madhe dhe nuk kanë përmirësuar standardin e qytetarëve, për shkak se janë harxhuar në një pjesë të madhe në mënyrë joproduktive dhe kanë shkuar edhe për mbulimin e shpenzimeve rrjedhëse të funksionimit të shtetit.

“Vetëm të hollat e kamatave që kemi paguar për servisimin e borxhit publik prej afër 560 milionë euro janë gati gjysma e vlerës prej 300 milionë euro të kostos së ndërtimit të hekurudhës Kërçovë-Pogradec, gjegjësisht me këto të holla do të kishim lidhje direkte me tren prej Shkupi deri në Durrës. Pra, në të ardhmen borxhet nuk duhet të merren për të mbuluar borxhet e vjetra për konsum apo për ndërtimin e objekteve joproduktive, por duhet të shfrytëzohen për zhvillimin ekonomik të shtetit që do të sjellë të ardhura të reja në buxhet si dhe përmirësimin e kapacitetit të ekonomisë vendore për pagesën e borxheve”, thotë për KOHA profesori universitar, Neritan Turkeshi.

Sipas tij, borxhi publik, me fjalë të tjera, paraqet gjendjen kur shteti ka harxhime më të mëdha se të ardhura, andaj edhe në fund të çdo viti vjen tek deficiti buxhetor që sjell edhe rritjen e borxhit të shtetit që mbulohet me huazime të reja në vend të rritjes së shëndoshë ekonomike.

Një nga problemet më të mëdha me borxhin publik janë efektet që në fund paguajmë për hyrjen në këtë borxh që nuk sjellin edhe zhvillim më të madh ekonomik, shton më tej Turkeshi.

“Në vitet e fundit në Maqedoni edhe pse kemi rritje të madhe të borxhit publik që arrin në mbi 50 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto nuk kemi rritje ekonomike prej 4-5 për qind në vit, por në mesatare kemi rritje prej 2-3 për qind. Gjithashtu nuk kemi përmirësim të mirëqenies së qytetarëve, hapje të vendeve të reja të punës nga sektori privat vendor e kështu me radhë. Problem tjetër lidhur me hyrjen në borxh është edhe llogaridhënia e plotë, jo vetëm në nivel qendror, por edhe lokal për harxhimin e të hollave të qytetarëve, nevojës së hyrjes në borxhe të reja, mënyrën e harxhimit të të hollave, “borxheve nën jastëk”, e kështu me radhë. Çështje tjetër që duhet të theksohet është edhe qëndrueshmëria e borxhit publik për shkak se konsolidimi fiskal apo shtrëngimi i parave publike nuk guxon të dëmtojë apo të ulë rritjen ekonomike“, thekson Turkeshi.

Sipas tij, në të ardhmen nevojitet që të kemi kujdes të arrijmë rritje ekonomike që do të ishin së paku dy herë më të mëdha se deficit buxhetor si dhe të shkurtojmë në minimum harxhimet joproduktive, të hyjmë në borxh vetëm për ndërtimin e projekteve kapitale si ndërtimi i kapaciteteve energjetike, të përfundojmë korridoret tetë dhe dhjetë si dhe të përmirësojmë komponentën buxhetore të buxhetit që nuk do të dominohet nga harxhimet për paga, pensione dhe transfere të tjera sociale.

Ndryshe, në vitin 2010 borxhi publik ka qenë 1.936 miliardë euro ndërsa kamatat kanë qenë 52 milionë euro, në vitin 2011 borxhi publik ka qenë 2.414 miliardë euro, ndërsa kamatat kanë qenë 56 milion euro. Në vitin 2012 borxhi publik ka qenë 2.908 miliardë euro, ndërsa kamatat kanë qenë 69 milionë euro, në vitin 2013 borxhi publik ka qenë 3.281 miliardë euro, ndërsa kamatat kanë qenë 75 milionë euro.

Në vitin 2014 borxhi publik ka qenë 3.921 miliardë euro, ndërsa kamatat kanë qenë 83 milionë euro, në vitin 2015 borxhi publik ka qenë 4.227 miliardë euro, ndërsa kamatat kanë qenë 105 milionë euro.

Ndërsa në vitin 2016 borxhi publik ka qenë 4.71 miliardë euro, ndërsa kamatat 117 milionë euro.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme