Marrëveshja Kosovë-Serbi s’është kërcënim për rajonin

Marrëveshja Kosovë-Serbi nuk pritet që të pengojë dhe cenojë integritetin territorial të Maqedonisë apo shteteve të tjera të rajonit. Kështu deklaroi Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pas takimit bilateral me Kryeministrin Zoran Zaev. Ai tha se zvarritja e bisedimeve me Serbinë do të ndikonte negativisht në të ardhmen e Kosovës por edhe të rajonit në përgjithësi.

“Marrëveshja Kosovë-Serbi nëse arrihet pasi që do të jetë shumë vështirë për tu arritur, do të jetë e frymës evropiane, do të rruhet muti-etniciteti në Kosovë, do të jetë e koordinuar plotësisht me SHBA-të dhe BE-në, shtetet fqinje dhe shtetet mike do të ndihen komod. Kosova e respekton integritetin territorial të çdo shteti fqinjë, të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi dhe vendeve tjera, por me Serbinë është çështje specifike”- u shpreh Hashim Thaçi , President i Kosovës.

Thaçi këto komente i bëri gjatë qëndrimin zyrtar në Shkup, për ti dhënë mbështetje referendumit të 30 shtatorit. Kryeministri Zaev bëri të ditur se Kosova e ka mbështetjen e Maqedonisë për arritjen e një marrëveshje pozitive me Serbinë. Zaev tha se është i interesuar të zgjidhen të gjitha kontestet rajonale me qëllim që i gjithë Ballkani të bëhet një vend më i sigurt për jetë dhe investime.

 Maqedonia e mbështet një zgjidhje pozitive për Kosovën. Një zgjidhje që gjithsesi do e avancojë gjendjen e shqiptarëve, serbëve dhe qytetarëve të tjerë që jetojnë në Kosovë. Zgjidhje që do të jetë e mirë për Kosovën dhe për të gjithë rajonin tonë. Për mua është e rëndësishme që të gjithë liderët e rajonit, të qëndrojmë të bashkuar, për përmbushjen e qëllimeve të përbashkëta që i kemi, e këto janë, paqja afatgjate, zhvillimi ekonomik, bashkëpunimi rajonal dhe anëtarësimi në BE”- theksoi Zoran Zaev , kryeministër i Maqedonisë.

Mbështetje të pakusht për çfarë do marrëveshje të arritur mes Prishtinës dhe Beogradit dha edhe kreu i BDI-së Ali Ahmeti.

E sigurova Thaçin se ne do të jemi përkrahës të fortë për çdo zgjidhje që do të arrijnë institucionet e Kosovës në shënimin e vijave të demarkacionit me palën Serbe. Janë momente të rëndësishme dhe historike për Kosovën që edhe ky problem të përmbyllet sepse rajoni ka nevojë për progres”- pohoi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Gjatë vizitës në Maqedoni, Thaçi takoi edhe kryetarin e Parlamentit Talat Xhaferi dhe kreun e VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristjan Mickovski. Thaçi në Maqedoni erdhi pas vizitës në Mal të Zi dhe Shqipëri, nga ku kishte marrë gjithashtu inkurajim për përfundimin e bisedimeve me Serbinë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme