SHBA aprovoi planin për të garantuar ndihmë ushtarake për Izraelin gjatë 10 viteve të ardhshme në një marrëveshje rekord prej 38 miliardë dollarësh, më e madhja në historinë amerikane.
Me marrëveshjen e re, ndihma ushtarake amerikane për Izraelin rritet nga 3,1 në 3,8 miliard dollarë në vit, por ekspertët thonë se Izraelit ju desh të bënte lëshime për të siguruar paratë.
Marrëveshja që ende nuk është firmosur formalisht, u arrit pas 10 muajsh bisedime. Ajo u aprovua pavarësisht pakënaqësive të administratës Obama për ndërtimin e kolonive izraelite në territoret e pushtuara.
Pakti i ri zëvendëson një marrëveshje të ngjashme që përfundon në vitin 2018. Mes të tjerave, Izraeli do të marrë çdo vit një fond prej 500 milion dollarësh enkas për mbrojtjen raketore. Por Qeveri e Telaviv ka rënë dakord që të gjitha fondet do të shpenzohen përmes industrisë së mbrojtjes amerikane dhe jo tek kontraktorët ushtarakë në Izrael.
Ky i fundit gjithashtu nuk do të kërkojë më fonde nga kongresi amerikan, veç atyre që i garantohen çdo vit nga pakti i ri.
Analistët thonë se presidenti Barack Obama, përmes kësaj marrëveshje, është përpjekur që të tregojë mbështetjen e tij ndaj Izraelit, pas kritikave të shumta se administrata e tij nuk ka mbështetur aleatin në Lindjen e Mesme.
Më herët, Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu kishte lënë të kuptohej se mund të priste pasuesin e Obama-s për një marrëveshje më të mirë, por duket se palët e kanë gjetur kompromisin. Ekspertët thonë se në pakt nuk përmenden kolonitë izraelite apo ndonjë formë e ndalimit të tyre në këmbim të ndihmës, duke lënë të kuptohet se pavarësisht kritikave për to, Uashingtoni e ka mbyllur një sy për aletin historik.