Këshilltari i Ministrit të Arsimit, Valmir Gashi konfirmoi për KALLXO.com se menjëherë pas marrjes së informatave, ka pasur takim në ministri dhe rasti është raportuar në Policinë e Kosovës.
“Ne fillimisht e kemi mbajtur një takim në ministri, me departamentin përkatës dhe pas atij takimi, drejtori i departamentit të arsimit parauniversitar i është drejtuar policisë dhe policia tash i merr masat. Ne i kemi marrë masat me atë që e kemi pa, mbetet të shihet. Vetë fakti që ishte aktiv gjatë gjithë kohës dhe nxënësit postonin testin, gjasat janë që është i njëjti. Testet janë në terren të gjitha”, tha Gashi.
Kujtojmë se KALLXO.com ka raportuar lidhur me faqen online në Facebook e cila vazhdon të jetë aktive edhe në këto momente.
Disa minuta pasi ka filluar mbajtja e këtij testi ka qarkulluar një grup në Facebook i titulluar ‘Testi i arritshmërisë 2018- 18 maj.
Në këtë grup ka filluar postimi i fotografive të pyetjeve të testit dhe komunikimet për përgjigjet e mundshmë për këtë test.
Disa minuta më parë fotografia kryesore e këtij grupi kishte mbishkrimin ‘Testi i arritshmërisë 2016’ ndërsa tani është ndërruar me mbishkrimin ‘Testi i Arritshmërisë 2018’.