Një fotograf në qytetin e Korçës ka rënë pre e mashtrimit të një shtetasi, i cili hiqej sikur punonte në Shërbimin e Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në këtë qytet.
Policia bën me dije se bëhet fjalë për shtetasin me inicialet K. A., 31 vjeç, i cili e ka gënjyer kohë pas kohe fotografin, me premtimin se do ta favorizonte për të fituar një tender për shërbimet fotografike, që kryen struktura e lartpërmendur.
Fotografi, i ka dhënë për një periudhë kohe gjithsej 152.000 lekë mashtruesit 31-vjeçar, por kur ka kuptuar se e gjitha ishte një gënjeshtër, i është drejtuar Komisariatit të Policisë ku ka bërë edhe kallëzimin penal. Policia ka vënë në pranga të riun pas verifikimeve që ka kryer edhe me Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat Korçë, i cili ka vërtetuar se 31-vjeçari nuk ishte punonjës i SHCBA.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat Korçë, bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Mashtrimi”, të shtetasit K. A., 31 vjeç, banues në Korçë. Arrestimi i tij u bë pasi, dyshohet se ky shtetas nëpërmjet mashtrimit dhe duke u prezantuar si punonjës i SHÇBA Korçë, i ka marrë disa herë, në shuma të ndryshme, shtetasit A. D., me profesion fotograf, shumën prej 152.000 lekë, duke i premtuar se do ta favorizonte këtë të fundit, për të fituar një tender për shërbimet fotografike, që kryen struktura e lartpërmendur.