Mbi 12 vjet burgim Nebih Berishës për vrasjen e bashkëshortes, Zejnepe Berisha

Gjykata Themelore e Prizrenit – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka bërë shpalljen e aktgjykimit për të akuzuarin Nebih Berisha nga Suhareka për vrasjen e Zejnepe Berishës.

Gjykata i ka shqiptuar Berishës dënim me burgim në kohëzgjatje prej 12 viteve për veprën penale “vrasje e rëndë” si dhe për veprën penale “lëndim i lehtë trupor” dënim me burgim në kohëzgjatje prej një 1 viti, raporton Koha.net.

Gjykata, ndërkaq, duke aplikuar nenin 80 para 1 dhe2 pika 2.2, të akuzuarit i shqiptoi dënimin unik me burgim në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë (12) viteve e gjashtë (6) muaj, në rrethanat e përgjegjësisë penale esencialisht të kufizuar.

“Sepse me datën 23.10.2015, rreth orës 21:45 minuta në Suharekë, në shtëpinë e tij familjare e cila gjendet në rrugën “Galibardi” me dashje privon nga jeta anëtarin e familjes, bashkëshorten, me iniciale Z.B. (Zejnepe Berisha) në atë mënyrë që pas një bisede dhe mosmarrëveshje paraprake lidhur me disa telefonata që i merrte bashkëshortja e tij, derisa viktima Z. B. ishte në dhomën e ndejës, me një thikë të gjatësisë së tehut 10.5 cm e gjerësi 2.5.cm e sulmon bashkëshorten me thikë duke i shkaktuar njëzet (20) plagë, prej tyre dymbëdhjetë (12) plagë kanë qenë depërtuese, shtatë (7) goditje ka pësuar në zgavrën e majtë të kraharorit dhe pesë (5) goditje në zgavrën e barkut. Vajza e tyre e mitur, pas britmave të nënës, hyn në dhomën e ndejës dhe e sheh se babai është duke e goditur me thikë nënën, i afrohet ta mbrojë nënën duke vendosur dorën e djathtë në trupin e nënës dhe me këtë rast e godet me thikë në dorë edhe të dëmtuarën, vajzën e tij të mitur, me ç’rast nga plagët e marra e ndjera Z. B. vdes në vend si pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe të brendshme nga dëmtimi i mushkërisë së majtë, mëlçisë, shpretkës, majës së zemrës, të gjitha këto plagë të shkaktuar nga veprimi mekanik i mjetit të mprehtë dhe me majë, më për së afërmi e përshkruar si në raportin e autopsisë së datës 25.10.2015 të ekspertit mjeko-ligjor, ndërsa të dëmtuarës vajzës së tij të mitur i shkakton lëndime të lehta trupore në regjionin e shuplakës së dorës së djathtë”, thuhet në njoftimin për media të Gjykatës Themelore në Prizren.

© KOHA.