Blerim Syla, kryetar i Sindikatës së Shëndetësisë së Kosovës, thotë se kosovarët për çdo vit shpenzojnë mbi 200 milionë euro për trajtime shëndetësore jashtë vendit. Për këtë qëllim sivjet Ministria e Shëndetësisë ka ndarë vetëm 5.8 milionë euro, shkruan sot, gazeta Zeri.
Shuma të mëdha parash të qytetarëve të Kosovës edhe më tutje vazhdojnë të shpenzohen për trajtime shëndetësore në shtete të ndryshme të Evropës, por edhe më larg.
Blerim Syla, kryetar i Sindikatës së Shëndetësisë së Kosovës, thotë se kosovarët për çdo vit shpenzojnë mbi 200 milionë euro për trajtime shëndetësore jashtë vendit. Për këtë qëllim sivjet Ministria e Shëndetësisë ka ndarë vetëm 5.8 milionë euro.
Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë bërë të ditur se për këtë vit për trajtime shëndetësore jashtë shtetit ka ndarë buxhet prej 5.8 milionë eurosh, e që sipas tyre vetëm gjatë këtyre gjashtë muajve në Ministri kanë aplikuar 964 persona.
“Sipas Raportit të Zyrës së Trajtimit Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike të MSH-së, në periudhën janar- qershor 2017 ka pasur 964 aplikime, nga të cilat përfitues janë 681 (prej tyre rreth 100 nga viti i kaluar 2016). Deri në fund të vitit parashihet që numri i përfituesve të kalojë mbi 1000. Numri i aplikimeve sipas sëmundjeve është nga fusha e Kardiologjisë 289, Oftalmologjisë 169, Ortopedisë 120, por ka edhe nga fushat e tjera.
Vitin e kaluar ka pasur 1.030 raste të trajtuara. Procedurat e aplikimit dhe të realizimit të mbështetjes financiare janë të përcaktuara në Udhëzimin Administrativ për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike, ndërsa prioritet janë fëmijët”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë./Zeri