Policia e Kosovës, përmes një konference të jashtëzakonshme për medie, ka njoftuar se gjatë ditë së sotme, në bashkëpunim me ATK-në, Doganën dhe institucione të tjera, kanë kontrolluar 235 lokacione në të gjitha komunat e vendit, me ç’rast kanë mbyllur 35 lokale të lojërave të fatit.
Agron Nezaj nga Divizioni Kundër Krimit të Organizuar, ka thënë se vetëm gjatë ditës së sotme nga ATK-ja janë mbyllur 35 lokale të lojërave të fatit ndërkaq janë konfiskuar 118 aparate.
“Policia e Kosovës muaj më parë ka bërë inicimin e hetimeve rreth lojërave të fatit. Ky inicim është bërë nën udhëheqjen e prokurorisë. Si rezultat i këtyre hetimeve, PK sot ka realizuar një operacion në të gjitha regjionet e Kosovës”, ka thënë Nezaj, njofton Koha.net.
“Ky operacion policor ka përfshirë inkuadrimin e mbi 1000 zyrtarëve nga institucione të ndryshme. Në total janë kontrolluar 235 lokacione në 33 qytete të Kosovës. ATK-ja ka mbyllur 35 lokale të lojërave të fatit ndërkaq janë konfiskuar nga Dogana 118 aparate të lojërave të fatit”, tha ai.
Ai ka theksuar se aksioni është shtrirë edhe në pjesën veriore të vendit, ku janë kontrolluar 21 lokale të lojërave të fatit.