Kryetari i Këshillit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, gjermani David McAllister fajëson mediet e afërta me Kremlinin për rritjen e ultranacionalizmit serb, transmeton Koha.net raportimin e medieve.
McAllister ka kërkuar një prani të shtuar të BE-së në Ballkanin Perëndimor në mënyrë që t’i kundërvihet përpjekjeve ruse për destabilizimin e rajonit, shkruan “Guardian”, transmeton Koha.net.
“Jemi dëshmitarë të forcimit të ndikimit rus, jemi dëshmitarë të forcimit të ndikimit turk, SHBA dhe BE po ashtu janë lojtarë aty, dhe për pasojë vihen re interesa të ndryshme në lojë, ka thënë McAllister.
Roli i Rusisë posaçërisht është karakterizuar negativ përmes rastit të përzierjes në përpjekjen për grusht-shtet në Mal të Zi dhe promovimit të propagandës, në radhë të parë në gjuhën serbe, e cila përhap “teorinë e konspiracionit dhe të ultranacionalizmit serb” përmes medieve proruse.
Liderët e BE-së do të debatojnë nesër, e enjte, në Samitin e Ballkanit rreth rritjes së tensioneve në Ballkan. Siç shkruan “Guardian” vendet anëtare kanë mendime të ndryshme nëse duhet të identifikojnë në dokument fuqitë e jashtme me ndikim të shtuar në rajon. Ndër të cilat përmendet edhe Turqia.
Një tjetër brengë për diplomatët e BE-së është numri i madh i qytetarëve nga Ballkani që shkojnë për të luftuar në Siri e Irak, sidomos nga Shqipëria, BeH si dhe nga Kosova.