Ministria e Drejtësisë, përmes një reagimi thotë se ka përcjellë me vëmendje zhvillimin e sotëm të vazhdimit të seancës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, në të cilën përpos pikave të tjera të rendit të ditës, u shqyrtuan dhe u miratuan Rekomandimet e paraqitura nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje rreth dënimit të aktivistëve të saj.
Në reagimin e MD-së thuhet se “Sot, rendit juridik të Republikës së Kosovës dhe pushtetit të gjyqësorit në veçanti, i është dhënë goditja më e rëndë ndonjëherë nga politika në Kosovë”.
Reagimi i plotë i Ministrisë së Drejtësisë:
Në konsideratë të funksioneve dhe përgjegjësive të Kuvendit të Republikës së Kosovës si bartës i pushtetit legjislativ, si dhe në respekt të mandatit të deputetëve që sot me votën e tyre dhe në pajtim me bindjet e tyre të lira, aprovuan Rekomandimet e lartcekura, shprehim shqetësimit tona të thella, për mos respektimin e Rregullores së Punës së Kuvendit, respektivisht, mos shqyrtimin paraprak të këtyre Rekomandimeve nga ana e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, nëse të njëjtat janë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ashtu siç përcaktohen në Shtojcën 3 (Detyrat dhe Përgjegjësitë e Komisionit) të Rregullores së Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Është në përgjegjësinë ligjore të këtij Komisioni që të sigurohet që aktet e propozuara nga Kuvendi, të jenë në harmoni me legjislacionin në fuqi, duke bërë shqyrtimin dhe verifikimin paraprak të tyre si dhe dhënien e rekomandimit për miratimin ose jo të një propozimi.
Përtej mos zbatimit të rregullave procedurale të punës, në miratimin e këtyre Rekomandimeve, shprehim shqetësimin tonë të thellë, veçanërisht për përmbajtjen e tyre, të cilat në mënyrë direkte atakojnë pushtetin gjyqësor dhe pavarësinë e tij, të përcaktuar me aktin më të lartë juridik, Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Rrjedhimisht, konstatojmë se sot, rendit juridik të Republikës së Kosovës dhe pushtetit të gjyqësorit në veçanti, i është dhënë goditja më e rëndë ndonjëherë nga politika në Kosovë.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si akti më i lartë juridik, e ka përcaktuar qartë rolin dhe funksionin e pushtetit gjyqësor në kuadër të organizimit kushtetues dhe institucional të vendit tonë, duke përcaktuar kështu edhe garancën për ushtrimin e të drejtave dhe lirive themelore, përfshirë edhe të drejtën në ankesë e mjete të tjera juridike ndaj vendimeve të të gjitha shkallëve të gjyqësorit.
Ju ri kujtojmë, se Pushteti Gjyqësor në Republikën e Kosovës ushtrohet nga gjykatat në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit dhe në asnjë mënyrë e rrethanë nuk mund të ndikohet dhe pengohet nga agjendat e politikës ditore, e cila në rastin më të keq, nuk përfillë rregullat dhe procedurat bazike, por edhe realizon, me apo pa vetëdije, ndërhyrjen direkte dhe goditjen më të rëndë ndaj pushtetit gjyqësor.
Po ashtu, ju ri kujtojmë së kontestimi, komentimi apo mohimi i çfarëdo lloj vendimi të cilin e nxjerrë gjykata kompetente, nuk është vetëm cenim i pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe përpjekje për ushtrimin e ndikimit në punën e këtij pushteti, por edhe zhvlerësim i autoritet të pushtetit gjyqësor si dhe cenim i parimit të ndarjes së pushtetit.
Çdo vendim politik që shpërfillë rregullat dhe procedurat përkatëse ligjore dëmton seriozisht ndërtimin dhe funksionimin e një sistemi juridik të pavarur, sovran dhe të bazuar në Shtetin e së Drejtës.