Me bashkëpunim ndërkufitar dhe policor, do të kthehen paratë e vjedhura që janë transferuar jashtë Maqedonisë

Paratë që janë vjedhur nga ish zyrtarët e përbërjes qeveritare dhe të cilat janë dërguar jashtë shtetit në mënyrë jo-ligjore, Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me institucionet kompetente është duke u krijuar plan aksionar për zgjidhje sa më efikase të kësaj problematike, i cili plan me bashkëpunim ndërkufitar dhe policor do të mundësojë kthimin e parave të vjedhura në Maqedoni, njofton Portalb.mk.

“Me qëllim të ngritjes së kapaciteteve në luftën kundër krimit të organizuara, korrupsionit dhe terrorizmit e detyrueshme është që të funksionojë sistemi i cili në mënyrë adekuate do të jetë efikas, efektiv dhe do t’i përgjigjet shpejt dhe që do të jetë në korrelacion me metodat, praktikën dhe përvojën pozitive. Ministria e Punëve të Brendshme punon në koordinimin me institucionet e tjera kompetente në drejtim të detektimit të përparimit të sistemit të udhëheqjes proaktive të hetimeve financiare dhe konfiskimit të pronës. Për realizim të së njëjtës është e nevojshme që të përpilohet një strategji afatgjate dhe strategjike që të përballemi me sfidat gjatë zgjidhjes së këtij problemi. Në lidhje me këtë MPB vlerëson se prioritet është që të përgatitet strategji nacionale dhe plan aksionar për përforcim të kapaciteteve për udhëheqje të hetimeve financiare dhe konfiskim të pronës”, thonë nga MPB-ja.

Konfiskim
Meqë në raportin në fjalë është vlerësuar se institucionet e drejtësisë dhe prokuroria kanë nevojë për dyfishim të mjeteve materiale për realizim të kësaj strategjie, përfshirë edhe rritjen e profesionalizmit, kapaciteti dhe autoritetit që të zbatojnë hetime serioze konfiskuese, nga atje kërkohet edhe bashkëpunim sistematik ndërmjet Agjencisë për Menaxhim me Pasuritë e Konfiskuara dhe organeve të drejtësisë, prokurorisë dhe gjykatave. Në lidhje me këtë nga MPB-ja bënë të ditur se kjo do të arrihet me strategjinë që do të përpilohet për ngritjen e kapaciteteve institucionale përfshirë edhe bashkëpunimin ndërkufitar.

“Kjo strategji përpilohet në kuadër të projektit për përforcim të kapaciteteve institucionale në drejtim të bashkëpunimit kufitar, shërbimit policor dhe luftës kundër krimit të organizuar të paraparë me Programin IPA 2010. Është bërë komparacion edhe me shtetet e Bashkimit Evropian të cilat kanë përvoja më të mëdha sa i përket zbatimit të konfiskimit të pasurisë pronësore e cila parasheh edhe qasje strategjike gjatë realizimit të kësaj strategjie”, sqaruan më tej nga MPB-ja.

Sa para në mënyrë të paligjshme janë nxjerrë nga Maqedonia?
Përderisa për publikun e vendit kjo temë ishte aktuale, mirëpo pa fakte konkrete, rrjeti hulumtues “Integriteti financiar global” (Global Financial Integrity) publikoi se prej vitit 2004 deri në vitin 2013 nga Maqedonia janë nxjerrë 5 miliardë euro. Mu kjo informatë e hapi dilemën se a ka dështuar sistemi për luftë me krimin, ndjekjen e transaksioneve dhe parandalimin e larjes së parave.

Gruevski, investime

Nëse analizohet hulumtimi sipas viteve, të dhënat tregojnë se më shumë para joligjore janë nxjerrë në vitin 2008, edhe atë 928 milionë dollarë, dhe në vitin 2011, 852 milionë dollarë. Në periudhën prej vitit 2003 e deri në fund të vitit 2006, mesatarisht për çdo vit në mënyrë të paligjshme janë nxjerrë rreth 365 milionë dollarë. Në vitet më pas, gjegjësisht në periudhën prej vitit 2007 deri në vitin 2012, mesatarja vjetore e parave të nxjerra në mënyrë të paligjshme tejkalon 625 milionë dollarë, gjegjësisht rreth 3,7 miliardë dollarë. Sipas shumës së parave të nxjerra në mënyre të paligjshme Maqedonia gjendet në vendin e 88-të. Serbia gjendet në vendin e 35-të me vlerë mesatare prej 4 miliardë dollarë në vit, ndërsa Kroacia është në vendin e 40, prej ku mesatarisht në vit nxirren 3,5 miliardë dollarë, në vendin e 105-të është Mali i Zi me 257 milionë dollarë në vit, ndërsa Shqipëria gjendet në vendin e 118-të me 123 milionë dollarë para të nxjerra në mënyrë të paligjshme nga vendi.

Konfiskimi pas reformave në Drejtësi
Meqë përfitimi i pronës në mënyrë të paligjshme në Maqedoni deri në fund të vitit 2016 ka rezultuar me konfiskim të pronës së një politikani, një drejtori, një kryetar komune dhe 35 mjekëve, solli edhe sfidën tjetër, se konfiskimi i pasurisë do të paraqiste mënyrë parandalimi të parasë publike edhe nga pushteti i tashëm.

Në lidhje me këtë, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, Drilon Iseni për Portalb.mk tha se konfiskimi i pronës mund të arrihet me vendim të gjykatës dhe pas rikthimit të shtetit të së drejtës.

“Për keqpërdorimet e mundshme të Qeverisë së kaluar vlerësime mund të japim pas kryerjes së të gjitha hetimeve dhe dëgjimit të konkluzioneve të prokurorit dhe palëve të paraqitura në gjyq. Vetëm pas vendimit të gjykatës, mund të flasim për një strategji të nevojshme për hetime financiare dhe konfiskim të pasurive të pa justifikuara dhe të ngushtohet qarku për funksionarët dhe ish-funksionarët, të cilët kanë përvetësuar paratë e qytetarëve dhe pasuritë publike me anë të praktikave korruptive, dhe të njëjtave të ju konfiskohen pasuritë e tjera të ligjshme me vlerë ekuivalente, por e gjithë kjo mund të gjej zbatim vetëm nëse pavarësohet sistemi gjyqësor”, tha Iseni.

Iseni thotë se “duhet të përmendet edhe fakti se një pjesë e madhe e pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme thuhet se është nxjerrë jashtë shtetit, gjë që do ta vështirësojë procesin e kthimit të pronës në duart e qytetarëve. Mirëpo, që të mos përsëriten veprat e njëjta, Qeveria e re duhet që në vend të huamarrjeve të shtrenjta dhe të pakontrolluara, përmes punës së përgjegjshme dhe llogaridhënies të ulë shkallën e borxhit publik, ndërsa paratë në vend për lukse dhe investime jofitimprurëse, ti orienton drejt qytetarëve dhe nevojave të tyre, si dhe në investime që do të ndikojnë në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit”, tha Iseni.

Siç vlerësoi Iseni, Gjykatat e Maqedonisë duhet t’i përgjigjen kërkesës së Prokurorisë për aplikimin e masës për konfiskimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme, në të kundërtën ekspertët vlerësojnë se qytetarët do të vazhdojnë të mos u besojnë institucioneve shtetërore. Ata vlerësojnë se konfiskimi si metodë kundër krimit do të arrihet me depolitizim të sistemit gjyqësor.

Nevoja e përgatitjes së këtij dokumenti strategjik del edhe nga përmbajtja e raportit të Komisionit Evropian për përparim të Republikës së Maqedonisë, ku shumë qartë dhe në mënyrë të saktë është theksuar nevoja e hetimit të gjendjes financiare dhe konfiskimit të pronës.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme