Forca e Sigurisë së Kosovës pritet që nesër të marrë votat e Kuvendit për zgjerimin e mandatit të saj
Me votimin për tri projektligjet për FSK-në, kjo forcë pritet të fillojë rrugëtimin e saj drejt një ushtrie, siç është quajtur shpesh nga zyrtarë të ndryshëm, me standarde të NATO-s, shkruan lajmi.net.
Ushtria si rrallë procese të tjera, kësaj radhe ka bashkuar pozitë e opozitë rreth një qëndrimi.
Të gjithë pro Ushtrisë, me përjashtim të Listës Serbe.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK –së, Avdullah Hoti, gjatë ditës së djeshme në një konferencë për media tha se subjekti i tij do t’i votojë të tri projektligjet për FSK-në.
Në të njëjtin vijë të mendimit lidhur me këtë çështje janë edhe dy partitë tjera opozitare, Vetëvendosje e PSD.
Deputeti i VV-së, Ismajl Kurteshi, tha sot për lajmi.net se partia e tij nuk ka ndryshuar qëndrim, dhe se Ushtria do të votohet.
“Natyrisht, nuk ka diskutim për këtë çështje”, ka thënë shkurt ai.
Edhe deputetja e PSD-së, Shqipe Pantina, për lajmi.net tha se partia e saj nuk i ka ndryshuar qëndrimet sa i përket Ushtrisë.
“Ne e kemi votuar edhe në lexim të parë, dhe natyrisht që do ta votojmë edhe në të dytin”, ka thënë sot Pantina për lajmi.net.
E kundër Ushtrisë së re të Kosovës po del të jetë vetëm Lista Serbe.
Zyrtarë nga ky subjekt madje shpesh herë i kanë shprehur edhe “shqetësimet” e tyre Beogradit lidhur me këto veprime të institucioneve të Kosovës.
Me apo pa Listën Serbe, Ushtrinë, ashtu siç është paralajmëruar tash e sa kohë do ta votojë edhe koalicioni qeverisës.
FSK-ja në mandatin e ardhshëm të saj, pritet t’i ketë rreth 8 mijë ushtarë. Prej tyre 5 mijë do të jenë trupa aktiv, ndërkaq që 3 mijë do të jenë trupa rezervë.