Menaxhmeti i Telekomit të Kosovës nuk i ka dërguar dokumentacionet e nevojshme të cilat i ka kërkuar Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala.
Kjo sipas kryesuesit të Komisionit, Visar Ymeri nga Partia Socialdemokrate, drejtorit ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi, i është arsyetuar komisionit se për të mbledhur dokumentacionet që janë kërkuar duhet kohë shtesë. Për pjesën tjetër, Ymeri thotë se është kërkuar që të trajtohet me kujdes pasi që janë çështje konfidenciale.
Deputeti i LDK-së Armend Zemaj, se duhet të i bëhet presion Telekomit për të marrë përgjigjet.
“Kjo neglizhencë e ka qëllimin e vet të stërgjatë së afatit dhe pengimit të punës së komisionit, kërkoj të i shkruani një letër urgjencë dhe të i tregoni pasojat juridike për ata që pengojnë punën e komisionit. Çdo pengim i hetimit parlamentar nënkupton përgjegjësi penale për ata që pengojnë mbarëvajtjen e komisionit”, tha ai.
Nga ana e saj, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha se kjo është përgjegjshmëri e Telekomit për dokumentacionet që duhet të jenë publike dhe të qasshme për komisionin.
Kryesuesi i Komisionit tha se menaxhmetit të Telekomit, do t’i dërgohet edhe një letër me kërkesën që dokumentacioni të dorëzohet deri të mërkurën apo të enjten e ardhshme, përndryshe do marrin hapat juridik.
Komisioni ka vazhduar shqyrtimin e emrave të eksperteve që do të angazhohen, pa prezencën e medieve.