Kreu i PDSH-së Menduh Thaçi lëshoi akuza të rënda në adresë të kreut të BDI-së Ali Ahmeti duke e quajtur atë kancer të politikës shqiptare në Maqedoni. Thaçi tha se është i habitur me shpërfytyrimin e Ahmetit dhe siç tha ai mënyrën se si i laritet Mickoskti që ta merr në pushtet.
Menduh Thaçi, Kryetar i PDSH-së
“Jam i shokuar, i frapum me shpërfytyrimin e z.Ahmetit, me prostitucionin e tij politik në mënyrën se si i laritet dhe i lutet Mickoskit që ta merr në Qeveri me mënyrën se si vazhdon të gënjejë, mashtrojë dhe të rrejë. Ai është kanceri i politikës shqiptarëve të Maqedonisë tashmë edhe me dy metastaza Ziadinin dhe Taravarin. Pa u eliminuar këta prej skenës politike është e rëndë të rishëndoshet skena politike. Kjo piskamë, kjo dhelpër e quajtur Ali Ahmeti që i digjet bishti tash dhe me çdo kusht prostituohet që të shkojë drejt Qeverisë duhet të ndërpritet urgjentisht, ai duhet të largohet prej skenës politike”, u shpreh Menduh Thaçi, Kryetar i PDSH-së.
Thaçi tha se askush nuk i ka premtuar Ahmetit zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe se sipas tij, me këtë mënyrë Ahmeti po i mashtron njerëzit rreth tij.
“Unë atij i them sot një të vërtetë të madhe kapitale historike, pse ai nuk bën luftë, pse ai sot nuk bën kryengritje të armatosur pasi gjendja qenka kaq e vështirë dhe e rëndë, më e keqe se 2001, ai ka përgjigjen por nuk e jep. Po ia jap unë: tash se ka UDB-në me vete. Në 2001 e kishte UDB-në me vete për të dëmtuar organizimin politik të shqiptarëve dhe PDSH-në”, tha Menduh Thaçi, Kryetar i PDSH-së
Thaçi dhe Ahmeti, dy kundërshtarët e përbetuar politik u bënë bashkë në kuadër të Frontit Europian për zgjedhjet parlamentare të vitit 2024. Por pas zgjedhjeve, Thaçi braktisi koalicionin me Ahmetin./Alsat.mk



