Meta i ofron Veselit mbështetje për ratifikimin e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta priti sot kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me të cilin vlerësuan marrëdhëniet vëllazërore mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe diskutuan mbi intensifikimin e bashkëpunimit ndërparlamentar.

Sipas njoftimit për media të Zyrës së Metës, kryeparlamentari nga Shqipëria theksoi gjatë takimit se avancimi i Kosovës në drejtim të shtimit të njohjeve ndërkombëtare, të forcimit demokratik institucional dhe të avancimit në agjendën e sigurt euro-atlantike – është një qëllim i përbashkët i yni.

Kryetari Meta shoti se “Shqipëria, dhe në veçanti Kuvendi i Shqipërisë do të jenë gjithnjë përkrah Kosovës në këto procese të rëndësishme që i shërbejnë mbi të gjitha cilësisë së jetesës të të gjithë qytetarëve të Kosovës”.

Në përfundim të takimit, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Ilir Meta dhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.

“Dua të theksoj mbështetjen tonë të plotë dhe të pa ekuivok për realizimin sa më shpejt të marrëveshjes së demarkacionit midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi. Kjo është jetike dhe vendimtare, jo vetëm për të përfituar liberalizimin e vizave për të gjithë qytetarët e Kosovës, por edhe për t’i dhënë fund një lloj stanjacioni dhe për të ecur më shpejt në rrugën e integrimit evropian të Kosovës, ashtu sikurse do të ishte edhe një kontribut tjetër për të përfunduar me sukses anëtarësimin e Malit të Zi në NATO”, ka thënë ndër të tjera Meta.

Meta ka thënë gjithashtu se me Veselin kanë vlerësuar mjaft “sjelljen tepër të përgjegjshme dhe të urtë të udhëheqjes së Kosovës, të institucioneve të Kosovës, për të mos rënë pre e tentativave provokuese dhe zjarrndezëse, siç ishin ato të murit të Mitrovicës apo incidenti i provokuar i trenit”.

“Me këtë rast kemi vlerësuar edhe pjekurinë e liderëve serbë në Kosovë, për të evituar këto konflikte të panevojshme, që nuk i shërbejnë, jo vetëm bashkëjetesës ndëretnike në Kosovë, por as integrimit të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht nga përkatësitë etnike. Jemi të bindur që një ripërtëritje e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, për të avancuar më tej normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, duhet patjetër të mbështetet nga të gjithë, pasi kjo është e domosdoshme për të forcuar më tej stabilitetin dhe sigurinë në rajonin tonë”, ka thënë Meta.

Sigurisht, ka thënë Meta, që nuk mund të rrinim pa shprehur keqardhjen tonë për ndalimin e papranueshëm të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj në Francë, që për fat të keq ilustron edhe mungesën e një vullneti nga lidershipi i Serbisë për normalizimin e plotë të këtyre marrëdhënieve dhe për të evituar çdo tensionim të tepërt dhe të panevojshëm.

“Sikurse të gjithë e dini, Shqipëria prej kohësh ka synuar dhe punon për të zhvilluar marrëdhënie sa më konstruktive me Serbinë dhe ne e vlerësojmë këtë si mjaft të rëndësishme për stabilitetin e gjithë rajonit tonë dhe do të vazhdojmë në këtë drejtim dhe besojmë e shpresojmë që edhe bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Serbisë i ka shërbyer dhe i shërben në të gjitha mënyrat dhe format edhe inkurajimit të mëtejshëm për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, për një të ardhme të paqtë për të gjithë rajonin tonë”.

Nga ana tjetër, kryetari Veseli, Shqipëria dhe Kosova kanë perspektivë të qartë euroatlantike.

“Ne kemi qëndrime të qarta në rrugëtimin tonë drejt integrimeve në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Shqipëria është përkrahëse në çdo proces të integrimit të Kosovës dhe rrugëtimin e vet euroatlantik. Ne jemi shumë mirënjohës për këtë përkrahje dhe të njëjtën kohë ne përpiqemi në çdo aspekt të marrim përvojat pozitive, të cilat shteti shqiptar i kaluar gjatë proceseve të integrimit, sfida të cilat janë edhe përpara Republikës së Kosovës. Të marrim ato përvoja që janë pozitive, në të njëjtën kohë të mësojmë edhe nga pjesa e atyre gabimeve që kanë qenë pjesë e procesit të rrugëtimit të Republikës së Shqipërisë në drejtim të integrimeve”, ka thënë veseli.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme