Meta: Për ‘Detin’ nuk lejoj cenim të Kushtetutës

Intervistë e Presidentit Meta për gazetaren Matilda Mçini në Televizionin ‘Ora News’

Pyetje (Matilda Mcini): Zoti Presidenti, po mbyllim një vit të vështirë, si fillim për shkak të pasojave të tërmetit të vitit të kaluar dhe më pas për shkak të pandemisë COVID-19. Si ka qenë ky vit që po lëmë pas mes të dyja këtyre fatkeqësive në Shqipëri?

Presidenti Meta: Do të donim, që viti që po lemë pas të kishte qenë më bujar për të gjithë shqiptarët dhe një vit i mundësive më të mira. Për shkak të një fatkeqësie natyrore si tërmeti dhe pandemisë, që pati një menaxhim jo aq gjithëpërfshirës dhe profesional, ky vit u bë i vështirë për shumicën dërrmuese të familjeve shqiptare, por edhe në përgjithësi për vendin tonë, që nuk arriti dot të hidhte një hap solid përpara edhe në drejtim të procesit të integrimit europian, që po përjeton një stanjacion prej kohësh.

Megjithatë një Viti i Ri po troket dhe besoj që të gjithë, me një angazhim më të madh, me një bashkëpunim më të madh, me më shumë shpresë dhe besim në vetvete do të arrijmë të krijojmë më shumë mundësi për qytetarët tanë dhe të japim më shumë shpresë për të rinjtë tanë. Jo vetëm kaq, por t’u japim më shumë mundësi atyre që ndihen më të përjashtuar dhe më të papërfshirë.

Të besojmë dhe të angazhohemi për një vit më të mirë dhe për një perspektivë më optimiste për familjet tona dhe për vendin tonë.

Pyetje: Zoti President, përgjatë gjithë këtij viti ka pasur çështje shumë të rëndësishme si përsa i përket politikës, por jo vetëm, edhe marrëdhënia me fqinjët. Ndalemi këtu te çështja e detit. Zoti President, Këshilli i Lartë i Greqisë miratoi dekretin presidencial për zgjerimin e ujërave territoriale në Detin Jon me 12 milje. Ka pasur mjaft replika mes jush dhe Kryeministrit Rama. A ka shkelur qeveria deri tani vendimin e Gjykatës Kushtetuese përderisa ju e keni cituar në letrën tuaj apo në qëndrimet tuaja në atë masë sa të cenojë interesat e Republikës së Shqipërisë?

Presidenti Meta: Për këtë çështje, në mënyrë të vazhdueshme ka pasur vetëm qëndrime zyrtare dhe të përgjegjshme nga ana e Institucionit të Presidentit të Republikës.

Nuk ka pasur asnjëherë replika apo batuta.

Përkundrazi, ka pasur për fat të keq përpjekje nga ana e kryeministrit për ta banalizuar rëndësinë e kësaj çështjeje dhe për t’iu ikur përgjegjësive, transparencës, integritetit dhe koherencës në lidhje me këtë çështje.

Nga ana e Presidentit ka pasur gjithmonë qëndrime shumë të qarta, parimore, konstruktive, bashkëpunuese, në respekt të Kushtetutës dhe në respekt të vendimit të posaçëm të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, një vendim i kërkuar nga vetë Partia Socialiste, që precizon përgjegjësitë për një marrëveshje të tillë apo të ngjashme si ajo të çdo institucioni në Republikën e Shqipërisë që nga Presidenti, Qeveria, Kuvendi dhe të gjithë institucionet e tjera.

Në këtë drejtim të gjithë shqiptarët duhet të jenë të sigurt që Presidenti i ka përmbushur me besnikëri dhe përgjegjësi maksimale të gjitha detyrimet e veta.

Sa u takon hartimeve të Kryeministrit, seriozitetit të deklaratave të tij dhe besueshmërisë së tyre, mendoj se secili mund ta bëjë vetë vlerësimin, por e vërteta është që për këtë çështje të gjithë qytetarët, përfshirë edhe Presidentin, më shumë informacion kanë marrë nga pala greke se sa një informacion të qartë e të përgjegjshëm nga Kryeministri i Shqipërisë.

Unë po vazhdoj dhe do të vazhdoj të bëj punën time në këtë drejtim me përgjegjësi të plotë, në mbrojtje gjithmonë të interesit kombëtar, të të drejtave sovrane të Republikës së Shqipërisë dhe të qytetarëve tanë dhe do të vazhdoj të përmbush të gjitha përgjegjësitë e mia dhe asnjëherë nuk do t’iu iki atyre, aq më tepër të ndaj përgjegjësi me cilindo që ka ngrënë një lugë çorbë të prishur.

Pyetje: Ndërkohë si e shihni ju procesin e negociatave mes dy vendeve? A ka një ndërprerje të negociatave nga qeveria, ose mos vallë Kryeministri me deklarata të tilla shmang grupin negociator dhe de facto e bën vetë negocimin?

Presidenti Meta: Nuk mund të jetë i vlefshëm asnjë akt individual, i çdo lloj aktori, që del jashtë kompetencave që jep Kushtetuta dhe që përcaktohen qartë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.

Lojëra apo manovra të caktuara thjesht mund të përdoren nga pala tjetër për të dëmtuar në një proces të ardhshëm ndërkombëtar interesat dhe të drejtat sovrane të Republikës së Shqipërisë.

Ndaj unë kam bërë thirrje për të gjithë aktorët, që të jenë të përgjegjshëm dhe t’u përmbahen detyrimeve të tyre kushtetuese.

Pyetje: Pra nëse bëhet një vetënegocim a do të thotë që duhet të marrë një autorizim nga Presidenti për këtë?

Presidenti Meta: Mendoj se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është tepër i qartë. Këto lojëra pastaj ‘Jo s’ka marrëveshje! Jo ka dakordësi!’…

Pyetje: E quan ‘famëkeq’ atë vendim të Gjykatës Kushtetuese Kryeministri Rama.

Presidenti Meta: Është vendim i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. I kërkuar me insistim nga vetë Partia Socialiste. Tani se çfarë ka famëkeqe i takon atij vetë ta sqarojë, por autorizimin që kanë kërkuar, e kanë kërkuar në zbatim të atij vendimi dhe e kanë marrë autorizimin pikërisht në zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Pyetje: Gjithashtu Kryeministri shprehet se është e drejta e një vendi, është e drejta e Greqisë të marrë vendime të tilla, të dekretoj vendime të tilla dhe ne nuk ndërhyjmë. E vetmja zgjidhje e jona është të shkojmë në gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë. Sipas Presidentit të Republikës a është kjo vërtet zgjidhje për këtë çështje?

Presidenti Meta: Unë nuk ndaloj dot asnjë politikan shqiptar të bëhet zëdhënës i një pale tjetër, por është detyra ime t’u qëndroj besnik përgjegjësive të mia kushtetuese. Dhe u kam qëndruar atyre dhe do t’u qëndroj deri në fund pasi për këtë jam betuar mbi Kushtetutën e Shqipërisë. Kush është betuar në ndonjë vend tjetër, le t’u qëndrojë betimeve të tij!

Pyetje: Pra ju nuk do ta pranoni zoti President që Shqipëria të përfaqësohet në gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë, pa zgjidhur vendimin e Gjykatës Kushtetuese?

Presidenti Meta: Mendoj se Shqipëria do t’i zgjidhë të gjitha çështjet e brendshme dhe rajonale në datën 25 prill 2021.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme