Mickoski paralajmëron trup të veçantë për luftë kundër korrupsionit

Gazetar: Suad Bajrami

Kryeministri Hristijan Mickoski, në një intervistë për televizionin Alfa tha se planifikon të formojë trup të veçantë dhe linjë në të cilën qytetarët do të mund t’i paraqesin korrupsion apo sjellje devijuese nëpër institucione, me qëllim që të ndëshkohen kryerësit e këtyre veprave dhe të ndryshojë perceptimi i qytetarëve se jetojnë në një shtet kriminal.

“Planifikoj, në periudhën që vijon, bashkë me bashkëpunëtorët e mi të formojmë ekip të veçantë dhe linjë të hapur në të cilën qytetarët mund të paraqiten dhe të paraqesin, nëse në ndonjë prej institucioneve u është kërkuar ryshfet ose dikush me vetëdije e zvarrit atë që me ligj dhe procedurë i takon. Dhe për atë, janë lëndë e çfarëdo kërcënimi, trysnive, shantazheve prej ndonjë të punësuarit në kuadër të administratës”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.

Televizioni Alsat, kërkoi nga qeveria detaje në lidhje me funksionimin, kompetencat dhe përbërjen e trupit, megjithatë deri më tani nuk japin shpjegime.

Ish anëtari i Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, Nuri Bajrami, vlerëson se një trup i tillë do të ishte i panevojshëm në rrethana kur në vend është në fuqi Ligji për Mbrojtjen e Denoncuesve, i cili në mënyrë të saktë përcakton procedurën e paraqitjes së sjelljeve të paligjshme dhe mbron denoncuesit.

“E them me kompetencë, se ligji për denoncuesit e rregullon në mënyrë taksative këtë çështje dhe çdo institucion duhet të ketë person që do t’i pranojë denoncimet dhe paraqitësit e dukurive devijante kanë mundësi, po që se nuk ndjehen të sigurt në paraqitjen brenda përbrenda institucionit, ta bëjnë paraqitjen e jashtme te Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Nëse është menduar kështu, në nivel të qeverisë, mund të ishte si ndihmesë një trup i këtillë. Por, edhe qeveria si institucion në nivel qeverie, por edhe në nivel të ministrive duhet të kenë person për denoncim për brenda institucionit dhe duhet të respektojnë ligjin për denoncuesit. Për arsye se aty parashikohet se çka duhet të bëhet me paraqitjen”, tha Nuri Bajrami, ish anëtar i Antikorrupsionit.

Sipas Bajramit, nëse trupi do të funksionojë në nivel të vendit, atëherë do të ishte një cirk, pasi që nuk do të përcaktohej qartë kompetenca. Bajrami, porositë qeverinë që të përforcojë sistemin aktual, në bazë të ligjeve ekzistuese, ai për denoncuesit.

“E para do të paraqitet gjithkush me çfarëdo qoftë paraqitje të cilat, me siguri ad-hok, nuk do të jenë të qarta dhe me çfarë kompetence do t’i përpunonte ai trup. Kujt do t’ia adresonte dhe në çfarë forme, sipas cilit ligj do të vepronte për përcjelljen e mëtejshme apo për veprimin proaktiv në bazë të paraqitjes. Do të ishte problem, andaj them, nuk duhet të formohen trupa ad-hok, por duhet të forcohet sistemi operativ, funksional brenda për brenda ministrive sipas ligjeve materiale, sipas ligjit për denoncuesit dhe në atë formë, çdokush do t’i pranojë paraqitjet në kuadër të fushëveprimit të institucionit, do të jetë më i afërt dhe do të dijë në mënyrë kompetente si të veprojë sipas paraqitjes”, u shpreh Nuri Bajrami, ish anëtar i Antikorrupsionit.

Sipas ligjit për mbrojtjen e denoncuesve, nëse një qytetar vendos të denoncojë sjellje të paligjshme në ndonjë prej institucioneve, merr statusin e denoncuesit dhe mbrohet me ligj. Me të njëjtin, mundësohet mbrojtja e çfarëdo lloj shkelje të të drejtës ose veprimeve të dëmshme kundër denoncuesit, në pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme