Mickoski: Për momentin nuk ka bazë për rritjen e pagave në arsim

Gazetare: Ajnur Bafqari

Rritja e pagave është e nevojshme, por paga më të larta do të ketë atëherë kur do të ketë bazë për këtë. Kështu deklaroi numri një i Qeverisë, Hristijan Mickoski, duke komentuar paralajmërimet për protesta të Sindikatës së Pavarur të Arsimit dhe Shkencës. Mickoski tha se me përfaqësuesit e sindikatave do të ulen të bisedojnë, por pa politizim.

“Secila deklaratë, e një pjese të udhëheqësve të organizatave sindikale, është e koordinuar me opozitën e tanishme. Për më pak se dy muaj, e konsoliduam buxhetin dhe me ribalans janë paraparë të gjitha rritjet dhe harmonizimet që paraprakisht ishin marrëveshje me organizatat sindikale. Me buxhetin e vitit të ardhshëm, jemi të gatshëm të ulemi të bisedojmë, pa politizim, dhe të gjejmë zgjidhje. Unë jam i pari që do të mbështes diçka që vërtetë ka bazë… Ju lutem për durim, së bashku do të ulemi dhe do të gjejmë zgjidhje… Pagat më të larta janë të nevojshme, por paga më të larta do të ketë atëherë kur për të do të ketë bazë, ne si qeveri me përgjegjësi do të sillemi ndaj buxhetit dhe parave e popullit”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Por kreu i LSDM-së, Venko Filipçe thotë se politizim po bën vetë Mickoski, i cili po kërkon arsyetim për të mos rritur pagat.

“Vlerësoj se është tentim që të defokusohet vëmendja e qytetarëve dhe opinionit nga skandalet e mëdha që po ndodhin tashmë në fillim të punës së qeverisë, do të thoja një paaftësi e tmerrshme e Mickoskit që të ballafaqohet me të gjitha sfidat. Nëse Qeveria e LSDM-së mund të gjente para në krizat më të mëdha si kriza me kovidin, kriza energjetike në kohën e fillimit dhe gjatë luftës në Ukrainë, vërtetë vlerësoj se janë tregime për fëmijë të vegjël, ose arsyetim që të thuhet se në buxhet nuk ka para“, u shpreh Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së.

Pas deklaratës së ministres së Arsimit dhe Shkencës se rritje të pagave nuk do të ketë këtë vit, por në mars të vitit të ardhshëm, Sindikata e Pavarur e Arsimit dhe Shkencës paralajmëroi protesta në fillim të vitit shkollor. Sindikata kërkon të respektohen marrëveshjet kolektive dhe ligji për pagën minimale. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme