Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga NISMA Social Demokrate, Milaim Zeka, nesër do të dalë para gjyqit nën akuzat për mashtrim e pastrim të parave.
Së bashku me Zekën në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë edhe Ilir Krasniqi e Edmond Kërliu. Në këtë rast nesër pritet që të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar.
Milaim Zeka momentalisht ndodhet në paraburgim nën dyshimin për kanosje të prokurorit Afrim Shefkiu.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, kundër të pandehurve Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu, për veprat penale mashtrimi, shmangia nga tatimi si dhe për veprën penale pastrimi i parave.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të pandehurit Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, që nga viti 2016 e deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, fillimisht të pandehurit e lartcekur më 02.06.2016, kanë regjistruar biznesin si agjencion punësimi, ku kanë paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani, ashtu që të pandehurit Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, kanë mashtruar 900 aplikues për viza pune.
Të pandehurit prokuroria i akuzon se si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale mashtrimi, si dhe ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer edhe veprën penale shmangia nga tatimi.
Gjithashtu, të pandehurit Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu, sipas prokurorisë kanë kryer veprën penale pastrimi i parave lidhur me veprat penale mashtrimi dhe shmangia nga tatimi.