Milan Radojçiq ka gisht në vrasjen e Oliver Ivanoviq? Çfarë thotë kryeprokurori për hetimet

Shefi i nëntokës në veri të Kosovës është i përfshirë në vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq. Kështu të paktën ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviq e akuzoi Milan Radojçiq se ka gisht në vrasjen e së martës të liderit të Iniciativës Qytetare SDP. Por kush është ky njeri dhe a ka filluar Prokuroria ta hetojë atë?

Një vrasje politike dhe një politikan i dyshuar. Ky është bilanci i deri tanishëm i hetimeve për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Milan Radojiçiq është akuzuar nga ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkovçiq, si i përfshirë në vrasjen e politikanit Ivanoviq. Por, a kanë nisur hetime lidhur me këto akuza, të cilat Trajkoviq i tha publikisht.

Radojçiq, iu është përgjigjur këtyre akuzave, duke thënë se janë spekulime, por a po merret seriozisht prokuroria në Kosovë me këto deklarata të ish-deputetes serbe në Kosovë.

Express ka kontaktuar me kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Shyqyri Syla për këtë çështje dhe i njëjti ka thënë se ky hetim është mjaftë kompleks.

“Ky është një hetim shumë kompleks, ne nuk mund të japim kurrfarë informatash për gazetën”, tha kryeprokurori.

Mirëpo, ai bëri të ditur se me rastin po merren dy prokurorë dhe se po punohet intensivisht për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

“Ne jemi duke punuar me intensitet shumë të madh. Dy prokurorë po punojnë për këtë çështje dhe të gjitha institucionet që kanë mundësi të japin informata, janë të kyçura”, tha Syla.

Por, a po merren me verifikimin e deklaratave të Rada Trajkoviq, kryeprokurori tha se “nuk mund të zbuloj asgjë”.

Ai ka bërë të ditur se të premten (sot) ose të hënën do të marrin të gjeturat e disa ekspertizave të fundit.

“Deri tani janë duke u bërë disa ekspertiza dhe besoj se sot ose të hënën na kthehen dhe besoj se nga të gjeturat e këtyre ekspertizave, sigurisht vjen pjesa e hetimeve, por si kryeprokuror mund të konfirmoj se është duke u punuar maksimalisht me të gjithë faktorët relevant që mund të na ndihmojnë në zbardhjen e rastit”, tha kryeprokurori.

Ish-deputetja serbe e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviq, ka akuzuar themeluesit e Listës Serbe për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, në Mitrovicën e Veriut.

Ajo ka përmendur Milan Radojiçiq, njëri prej personave që e kontrollon Listën Serbe, si një ndër shefat kryesorë të nëntokës në veri të Kosovës.

Oliver Ivanoviq, u vra me gjashtë plumba as 100 metra larg shtëpisë së tij në Veri të Mitrovicës. Për vrasjen e ish-udhëheqësit të Iniciativës Qytetare “Serbia, demokracia, drejtësia”, Oliver Ivanoviq, deri tani askush nuk është i dyshuar. Makina, nga e cila dyshohet se u krye vrasja, u gjet në Zveçan, e djegur dhe sipas policisë, ajo është blerë në Serbi në vitin 2017.

Mirëpo, sipas kësaj deklarate të Oliver Ivanoviqit që e dha katër ditë para vrasjes, duket se ai ka paralajmëruar për një atentat të tillë kundër tij.

Më 2014’ën, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Ivanoviqit dhe e ngarkonte atë me akuza se ka bërë krime ndaj shqiptarëve gjatë kohës së luftës. Ai më pas u dënua me 9 vite burg, por në shkurt të 2017-ës Gjykata e Apelit e kishte prishur vendimin e shkallës së parë, duke e dërguar rastin në rigjykim. Që nga ajo kohë, Oliver Ivanoviq ishte i lirë dhe vazhdoi aktivitetin e tij partiak.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme