Ish-kryetarja e Lëvizjes Evropiane në Serbi dhe ekspertja për çështjet evropiane dhe marrëdhëniet rajonale, Jelica Miniq, deklaroi për RTK-në se pushteti në Beograd nuk ka ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme me shumicën e vendeve fqinje dhe vazhdon të ndjekë politikën e balancimit.
Ajo paralajmëron se dialogu Kosovë-Serbi është praktikisht i ngrirë, ndërsa pasojat e politikave të Beogradit dhe Prishtinës më së shumti i vuajnë serbët në Kosovë.
Duke folur për kritikat gjithnjë e më të shpeshta se Serbia, përmes veprimeve të saj, po kontribuon në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, Miniq vlerësoi se Beogradi ndikon negativisht në marrëdhëniet me fqinjët dhe ende nuk ka përcaktuar qartë drejtimin e tij të politikës së jashtme.
“Kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, si një rajon i qartë me të cilin veprohet si në Bashkimin Evropian ashtu edhe në NATO, Serbia objektivisht ka një rol destabilizues”, tha Miniq.
Sipas saj, mbështetja te partnerë të largët globalë nuk mund t’i sigurojë një vendi stabilitet të qëndrueshëm, pasi ai ndërtohet para së gjithash përmes marrëdhënieve të mira me fqinjët e drejtpërdrejtë.
“Fakti që një shtet është klient i një partneri të largët, përtej oqeanit, amerikan apo aziatik, nuk i siguron atij stabilitet të qëndrueshëm”.
Se Ballkani Perëndimor ende nuk është stabilizuar në mënyrë të qëndrueshme dhe se politika e pushtetit në Beograd kontribuon në tensionet rajonale, po paralajmërojnë gjithnjë e më shpesh edhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar. Së fundmi, raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, deklaroi se regjimi i presidentit Aleksandar Vuçiq është burimi kryesor i jostabilitetit në Serbi dhe në rajon.
Miniq thotë se politika e Beogradit reflektohet veçanërisht në marrëdhëniet me Bosnjë e Hercegovinën dhe Malin e Zi, por edhe në përkeqësimin e marrëdhënieve me Kroacinë.
Sipas vlerësimit të saj, Serbia dhe Kroacia kontribuojnë në tensionet politike në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa Beogradi në të njëjtën kohë përpiqet të ndikojë në zhvillimet politike në Mal të Zi, i cili po përparon në procesin e integrimit evropian.
Ajo konsideron se marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kroacisë janë më të këqija sesa ishin para dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjetësh. Në vend të bashkëpunimit dhe zgjidhjes së çështjeve të hapura, ato janë të ngarkuara me akuza të ndërsjella dhe rikthim të vazhdueshëm te konfliktet e së kaluarës.
Miniq paralajmëron se një politikë e tillë nuk e rrezikon vetëm stabilitetin rajonal, por e vështirëson edhe pozitën e komuniteteve serbe në shtetet fqinje.
“Serbia shpesh harron se ajo para së gjithash i ka nisur luftërat në ish-Jugosllavi dhe vazhdimisht e paraqet veten si viktimë”, tha Miniq.



