Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar tha se për praktikën e “korridorit të drithit” të formuar me përpjekjet e Türkiye-s për eliminimin e rrezikut të krizës ushqimore të përjetuar për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, kanë filluar bisedimet me mendimin që ajo të zgjatet për 120 ditë në përputhje me formën e parë të marrëveshjes, raporton Anadolu.
“Palët do t’i vlerësojnë këto dhe do të japin vendimet e tyre. Shpresojmë që këtë ta zgjidhim në kohën më të shpejtë në mënyrë pozitive”, deklaroi Akar duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për rendin e ditës para mbledhjes së Grupit Parlamentar të partisë AK (Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim).
“Kemi filluar bisedimet me mendimin që korridori i drithit të zgjatet për 120 ditë në përputhje me formën e parë të marrëveshjes. Kolegët tanë kanë zhvilluar bisedime në nivel teknik me palën ruse dhe ukrainase. Ne vazhdojmë bisedimet tona në nivel ministrash. Deri sot janë dërguar mbi 24 milionë tonë drithë, i cili u është dërguar personave në nevojë. Këto kanë siguruar kontribut serioz për paqen rajonale dhe botërore por edhe për çmimet dhe stabilitetin”, tha ministri Akar.
“Vazhdimi i kësaj është i rëndësishëm. Do të vazhdojmë kontaktet tona që në vend të dy muajve ajo të jetë 120 ditë. Palët do t’i vlerësojnë këto dhe do të japin vendimet e tyre. Edhe OKB-ja mendon njësoj si ne. Po vazhdojmë bisedimet. Shpresojmë që këtë ta zgjidhim në kohën më të shpejtë në mënyrë pozitive”, tha Akar në përgjigje të pyetjes së një gazetari për situatën e fundit në negociatat në lidhje me vazhdimin e “korridorit të drithit” dhe qasjen pozitive të Rusisë për zgjatjen e “korridorit të drithit” për “60 ditë”.
Droni amerikan i rrëzuar në Detin e Zi
Në pyetjen lidhur me rrëzimin e një mjeti ajror pa pilot (dron) të SHBA-së në Detin e Zi dhe për retorikat për hapjen e Detit të Zi për anijet amerikane që SHBA-ja të marrë mbetjet e dronit, Akar tha: “I ndjekim nga afër zhvillimet. Kemi kontakte të ndryshme dhe këto vazhdojnë. Përpiqemi ta zgjidhim këtë çështje në mënyrë të arsyeshme dhe logjike si nga brenda ashtu edhe duke diskutuar me bashkëbiseduesit tanë me amerikanët”.
Ndërkohë në pyetjen se “a do të lejohet kalimi i anijeve nga ngushticat?”, ministri Akar tha: “Me presidencën vazhdojmë punimet tona në komunikim të ngushtë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Jashtme. Rezultatet do t’i shohim në periudhën e ardhshme”.