Ministri i ri i FSK-së, Rrustem Berisha, ka thënë se nuk ka ndonjë informatë nëse Lista Serbe e ka hequr nga dokumenti i Qeverisë së re formimin e ushtrisë së Kosovës, transmeton zeri.info.
“Unë nuk kam ndonjë informatë të tillë që është e saktë, nuk besoj që mund të jetë diçka e tillë, sepse formimi i ushtrisë nuk është në kundërshtim me interesat e qytetarëve të Kosovës, as të komunitetit dhe nuk e besoj që kjo mund të ndodhë”, ka deklaruar ai për “Zërin.
Berisha më tej ka thënë se qeverisja e re do ta ketë prioritet transformimin e FSK-së në ushtri.
“Ne do t’i përcjellim mesazhet tona në koordinim edhe me partnerët tanë strategjikë, edhe me komunitetin, që thjesht ta kuptojnë edhe ata që formimi i Forcave të Armatosura nuk është në kundërshtim me interesat e qytetarëve të Kosovës e as të komunitetit. E kemi si objektiv kryesor transformimin, sepse jemi në vonesë qe tre vjet e gjysmë rreth transformimit dhe unë shpresoj që ta realizojmë në mandatin tonë”, ka shtuar ai gjatë bisedës./Zeri/