Edhe pse udhëheq Ministrinë e Diasporës për të cilën është thënë se nuk do të ekzistojë si ministri e veçantë, Valon Murati thonë se nuk ka asnjë informatë lidhur me këtë çështje. Ai madje thotë se nuk ka marrë asnjë informatë zyrtare nga institucionet dhe as partneri i koalicionit PDK, se çfarë do të ndodh me këtë ministri.
Murati thotë ta ketë pyetur PDK-në, për informatat që po qarkullojnë, e sipas të cilave kjo ministri do të shuhet, por i është thënë se nuk ka asgjë për këtë çështje.
“Me sinqeritetin e plotë mund të them se unë as si ministër dhe asi si LB nuk kemi asnjë informatë për këtë çështje. Pra, me neve as nuk është diskutuar, as nuk është fol, ne vazhdojmë me punu normalisht, ne vazhdojmë me kry punën tonë dhe mandatin tonë, me qenë afër bashkatdhetarëve tanë, me kry misionin tonë. Me neve nuk ka diskutu askush për këtë çështje….Unë kam bërë pyetje rutinore se çka janë këto fjalë që po i dëgjojmë në opinion, na është thënë se nuk ka asgjë prej kësaj çështje, kjo është e gjitha”, tha ai.
Me gjithë deklarimeve të kryeministrit për zvogëlim të ministrive, e ku hyn dhe ministria e tij, Murati nuk do të ia dijë se çfarë flitet, ai vazhdon punën e tij normalisht, për t’i kryer detyrat sa i përket bashkatdhetarëve tanë.
“Ajo që vazhdon me qenë një brengë e vazhdueshme, e cila nuk mund shumë shpejtë të zgjidhet, janë pritjet e gjata në kufi, e cila pritet të trajtohet me ndërtimin e pikave të reja kufitare, si projekte të BE-së, qoftë në Merdare, qoftë në dheun e bardhë, terminalëve të reja, në kuadër të menaxhimit të integruar të kufijve. Por që sigurisht se do të kërkoj dhe një kohë në ndërtimin e tyre, që besoj pastaj atë fytin e ngushtë atje, sidomos në periudhën e verës dhe vikendeve ta trajtoj”, tha ai.
Ndërsa, pohon se kanë kërkuar edhe heqjen e policave të sigurimit për të cilat bashkatdhetarët kanë vërejtje të mëdha.
“Është një çështje tjetër në të cilën ata kanë vërejtje dhe që ne jemi marrë shumë seriozisht, është çështja e tarifave të sigurimit kufitar. Vjet me një punë të koordinuar dhe me institucione të tjera edhe me Kuvendin e Kosovës dhe BQK-në, ne kemi arritur që ta zvogëlojmë tarifën kufitare përgjysmë. Mbesin ende shumë probleme, qoftë në pagesa që duhet të vazhdojnë të presin bashkatdhetarët kur të vijnë dhe për të paguar, por qoftë dhe për të gjetur një zgjidhje ta them së paku afatshkurtër apo afatmesëm që kjo të hiqet”, tha ai.
Ai thotë se diaspora është një aset i rëndësishëm për vendin dhe se institucionet duhet të punojnë që të krijohen kushte me të mira, me qëllim që mërgimtarët të vijnë dhe të investojnë në vendin e tyre.