Ministri Shala vendos për (mos)suspendimin e Murat Mehës

Ministri i Ambientit, Ferat Shala këtë javë pritet të marrë vendim për suspendimin ose jo të kryeshefit të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Murat Meha dhe drejtorit të Drejtoratit Ligjor në këtë institucion, Ismet Kryeziu.

Pyetjet e KTV-së, pas aktakuzës ndaj Mehës dhe Kryeziut që kishin të bënin me interpretimin e Ligjit për Shërbimin Civil, saktësisht nenit 69, për suspendimin e zyrtarëve të akuzuar deri në një vendim të plotfuqishëm të gjykatës, për disa ditë janë trajtuar nga Departamenti Ligjor i Ministrisë.

Çështja i është lënë në duar ministrit Shala.

Agjencia Kadastrale është pjesë e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Pozita që e mban Meha, si kryeshef i Agjencisë, parashihet në nenin 23 të Ligjit për Shërbim Civil, si nëpunës civil i nivelit të lartë drejtues, njëra nga katër kategoritë e Shërbimit Civil.

Për aktakuzat ndaj tyre, KTV-ja ka bërë një kërkesë në Agjenci për të marrë një qëndrim qoftë nga Meha ose Kryeziu, por nuk ka marrë përgjigje.

Shoqëria civile ka ngritur shqetësimin për numrin e zyrtarëve publikë që vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre, pavarësisht aktakuzave.

Ministria e Drejtësisë është duke punuar në nxjerrjen e legjislacionit që do të rregullojë çështjen e largimit ose pezullimit të zyrtarëve publikë, që akuzohen ose dënohen për korrupsion.

Nxjerrja e këtij legjislacioni është prioriteti i parë i Agjendës për Reforma Evropiane, që si dokument i përbashkët i qeverisë me BE-në, ishte lansuar më 11 nëntor të vitit të kaluar, derisa Kuvendit të Kosovës i ishin dashur disa muaj kohë para se ta miratojë më 15 shkurt.

Përndryshe, përveç Mehës e Kryeziut, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në procesin e njëjtë është edhe shefi i zyrës së kadastrës në Komunën e Graçanicës, Nemanja Spasiq.


© KOHA.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme