Ministri Tahiri: Qasja në drejtësi imperativ i patjetërsueshëm, së shpejti nis rekrutimi i noterëve

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka mbajtur sot një konferencë për shtyp, së bashku me dy anëtarë të komisionit për provimin e Noterisë, në të cilën ka sqaruar për opinionin publik rrjedhën e organizimit dhe mbajtjes së provimit të Noterisë.

Ministri Tahiri ka vlerësuar se ky proces, origjinën e ka në reformat që janë paraparë me ligjin e ri për Noterinë i cili ka hyrë në fuqi në fillim  të vitit 2018.

“Në qendër të reformës që kemi realizuar, ka qenë adresimi i sfidave të sistemit noterial në raport me shërbimet ndaj qytetarëve. Përkundër faktit se këto shërbime janë ofruar nga noterët, karakteristikat e përgjithshme të kësaj fushe para hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë qenë se jo të gjitha qytetet kanë pasur noterë, jo të gjitha komunitetet kanë pasur noterë, ka pasur nevojë për të zgjeruar fushën e veprimit të noterisë në çështje vitale për qytetarët, siç është çështja e trashëgimisë dhe  mungesa e numrit të mjaftueshëm të noterëve, në raste të caktuara ka nxitur një praktikë të thellë të monopolit në këtë fushë” ka thënë Ministri Tahiri.

Ai shtoi se për të tejkaluar këto situata, me ligjin e ri për Noterinë, është  paraparë në mes tjerash, rritja e numrit të noterëve sipas formulës së re 1 noter në 10 mijë banorë.

Sa i përket rrjedhës së provimit të Noterisë, Ministri Tahiri ka specifikuar se që nga përzgjedhja e komisionit vlerësues sipas parametrave të përcaktuar me ligj e deri tek siguria e plotë e konfidencialitetit të testit, çdo gjë ka qenë e organizuar në mënyrë profesionale e kredibile.

“Ka pasur kritere aq rigoroze të vlerësimit, saqë krahasimi i numrit të atyre që i janë nënshtruar provimit dhe atyre që përfundimisht kanë dhënë provimin e noterisë është instrument objektiv i matjes. Ky është standard i ri që shumëkush mund të mos jetë mësuar por ja që kur ka vullnet për t’i bërë gjërat në mënyrë profesionale, gjërat janë të mundshme” ka thënë Tahiri.

Ai po ashtu njoftoi se tani e tuje vazhdon faza për rekrutimin e noterëve, sipas përcaktimit të paraparë në ligj. “Qasja në drejtësi është imperativ i patjetërsueshëm dhe shumë shpejt do të nisë rekrutimi i noterëve të rinj” ka thënë ministri Tahiri

Ministri Tahiri adresoi edhe komentet që kanë qenë subjekt i raportimeve në media rreth çështjes së provimit të Noterisë.

Ai shtoi se konkursi ka qenë publik, i hapur për të gjithë qytetarët që kanë plotësuar kriteret preliminare, dhe se askush nuk është inkurajuar e as dekurajuar të aplikojë për provim.

“Kur një gjë të tillë nuk e ndalon ligji, mbi çfarë baze mund t’ua ndalosh individëve të lirë të kësaj shoqërie që të marrin pjesë në garë” tha me këtë rast Ministri Tahiri.

Sipas Ministrit Tahiri, kërkesa për pezullimin e këtij aktiviteti profesional e të bazuar në ligj, si një kërkesë tërësisht politike, ka pasur për qëllim kohëzgjatjen e monopolit në këtë fushë.

“Përballë këtij fakti, dëshiroj të sqaroj për ju dhe gjithë opinionin publik se si Ministër i Drejtësisë, shërbej për dy milionë qytetarë e jo për miliona euro të atyre që kanë monopol në fushën e noterisë” përfundoi Ministri Tahiri. 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme