Ministria e Drejtësisë: Këtë vit nuk do të falet asnjë i burgosur

 Në vitin 2021 nuk do të ketë falje grupore të të dënuarve. Një ditë pasi tërhoqi kërkesën kundërthënëse, Ministria e Drejtësisë njoftoi se tërhiqet plotësisht nga materiali për falje. Nga ky dikaster thonë se vendimi është marrë me qëllim forcimin e kritereve dhe filtrave për kushtet e faljes. Gjithashtu po përgatitet zgjidhje e re ligjore për falje ku do të përfshihet kushti që rastet të cilat ngrenë dyshime mbi paanshmërinë e sistemit gjyqësorë, të mos mund të jenë pjesë e faljeve.

“Pas konsultimeve me Drejtorinë për zbatimin e sanksioneve, Ministria e Drejtësisë ka vendosur të mos e ndjek propozimin për falje grupore, përkatësisht lista të abrogohet. Kjo bëhet për arsye të kohës së precizimit të kritereve dhe forcimit ligjor të filtrave mbi atë se si veprohet dhe si formohen listat e personave të cilët fitojnë të drejtën për të kërkuar faljen”– thuhet ne njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Por, Presidenti Stevo Pendarovski thotë se derisa ka kërkesë për falje, të njëjtat duhet të procedohen, por kjo nuk nënkupton se me çdo kusht ndonjëri prej tyre mund të falet. I pyetur nëse do të falte Boban Iliqin, Aleksander Vasilevskin dhe Sead Koçanin, i pari i shtetit tha se asnjëherë nuk do të falë persona të cilët kanë kryer vepra të rënda penale.

“Nuk mund të paragjykoj që tani se si do të jetë. Megjithatë vendimi im prej sa vitesh jam president edhe para komisionit të cilin e kam formuar unë dhe në të cilin ka persona me integritet, rastet të cilat kanë nxitur reagime të ashpra në opinion ose raste të cilat kanë marrë dënime të merituara për veprat e bëra, as nuk arrijnë deri tek unë. Asnjëherë nuk kam falur persona që nuk meritojnë faljen”– deklaroi Stevo Pendarovski, President.

Ligji për falje përcakton rastet kur kërkesa për falje mund të ndërpritet.

“Gjyqi, përkatësisht Ministria e Drejtësisë mund të ndërpresë procedurën për falje nëse personi i dënuar e tërheq kërkesën për falje, nëse ka mbaruar masën e dënimit, nëse ka mbaruar masën ndëshkuese, nëse ka vendim gjykate për mjet të jashtëzakonshëm juridik ose personi i dënuar ka ndërruar jetë gjatë periudhës së faljes”– thuhet në Ligji e Faljes, neni 10.

Alsat nga java e kaluar raportoi ekskluzivisht për kërkesën e ministrit të Drejtësisë, Bojan Mariçiq drejtuar presidentit dhe Komisionit për falje. Ndonëse dikasteri i Drejtësisë refuzonte se tek ai ka mbërritur lista që përfshin emrat e Koçan, Iliq dhe Vasilevski (Ninxha), Alsat publikoi kërkesën e plotë të Drejtësisë në të cilin figuronin këto emra. Ditë më parë, pas reagimeve në opinion Mariçiq tërhoqi materialin për të rishqyrtuar të njëjtin. Faljet grupore të presidentit realizohen dy herë në vit, ndërsa sipas Ligjit për falje, të drejtë për të kërkuar falje veçmas nga ajo grupore e gëzon çdo i burgosur përpos atyre që janë të dënuar për vrasje, terrorizëm, përdhunim, tregti me drogë dhe personat e dënuar nga Gjykata ndërkombëtare për liritë dhe të drejtat e njeriut.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme