Ministria e Drejtësisë ka përgatitur mendim për propozim shkarkimin e Prokurorit Publik të Shtetit, të cilin e ka dërguar Qeveria për procedim të mëtutjeshëm, në pajtim me Ligjin për Prokurorinë publike dhe Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Gjatë periudhës së kaluar, ishim dëshmitarë të një sërë skandalesh, dëmtim të funksionalitetit të Prokurorisë Publike, prishje të marrëdhënieve ndërnjerëzore, veprimeve të paligjshme dhe korrupsionit, pasigurisë në ndjekjen penale dhe shkelje të parimeve të organizimit të Prokurorisë Publike dhe pavarësisë në kryerjen e funksioneve të prokurorëve në Prokurorinë e Lartë Publike. Prokurori Publik i Shtetit në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka vepruar në raste ku, sipas dispozitave ligjore, ka pasur rrethana që kanë ngritur dyshime në paanshmërinë e tij, si dhe konflikte interesi, për të cilat rrethana ai duhej të ishte në dijeni dhe të ishte tërhequr. Po ashtu, janë shpërndarë informacione dhe të dhëna në publik për lëndë të caktuara, duke shkelur detyrimin për konfidencialitet në procedurat. Në Ligjin për Prokurorinë Publike është e përcaktuar se Prokurori Publik i RMV-së është përgjegjës për gjendjen e përgjithshme në lidhje me organizimin dhe kryerjen e funksioneve të Prokurorisë Publike dhe për punën e tij është përgjegjës para Kuvendit. Kuvendi, si organi më i lartë përfaqësues i qytetarëve, është kompetent sipas Kushtetutës për emërimin dhe shkarkimin e Prokurorit të shtetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.