Ministria e Shëndetësisë i mban në punë zyrtarët e akuzuar

Ministria e Shëndetësisë ka një muaj që i është drejtuar me shkresë Prokurorisë së Shtetit, ku i kërkohet informatë mbi emrat e të gjithë zyrtarëve të saj që janë pjesë e aktakuzave.

Në mungesë të të dhënave zyrtare nga Prokuroria e Shtetit, MSH-ja ka thënë të mos ketë bazë ligjore për ndërmarrjen e masave ndaj personelit të saj, shkruan sot Koha Ditore.

“Ministri i Shëndetësisë ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që ta njoftojë MSH-në me emrat e të gjithë zyrtarëve të saj, për të cilët ka të ngritur ndonjë aktakuzë”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Aktakuzat ndaj zyrtarëve të këtij institucioni janë të njohura për opinionin – dy raste janë bërë publike nga “Koha Ditore”. Por pavarësisht kësaj shumë prej të akuzuarve punojnë ende. Në mesin e tyre ka kryeinspektorë e udhëheqës divizionesh.