Ministrja Hoxha e Kryeprokurori Lumezi konferencë në Prizren për vdekjen e Deharit

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha bashkë me Kryeprokruorin e Shtetit, Aleksander Lumezin dhe Zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës pritet të mbajnë një konferencë të jashtëzakonshme në Prizren në Qendrën e Shërbimit Korrektues të Kosovës lidhur me vdekjen e dyshimtë të Astrit Deharit.

Ende nuk është caktuar ora e mbajtjes së kësaj konference, shkruan Gazeta Express.

Konferencën e kanë konfirmuar zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë.

Aty, Hoxha e Lumezi do të japin detaje të tjera lidhur me vjedhjen e aktivistit të Vetëvendosjes, i cili mbahej në paraburgim në dyshimin për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës.

Astrit Dehari ka ndërruar jetë të shtunën dhe ishte duke u mbajtur në paraburgim prej 67 ditësh nën dyshimin se ishte i përfshirë në një sulm ndaj Kuvendit të Kosovës.

Partia e Visar Ymerit, Vetëvendosje, ka kërkuar përgjegjësi nga Shteti për vdekjen e aktivistit të tyre derisa institucionet shtetërore kanë kërkuar zbardhjen sa më të shpejt të kësaj ngjarjeje.

Madje, familjarët e Deharit kanë kërkuar që gjatë autopsisë të ketë edhe mjekë të pavarur për të zbardhur të vërtetën lidhur me vdekjen e Astritit.

Deri më tash, zyrtarët e Policisë, Prokurorisë dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës kanë thënë se Astrit Dehari vdiq në rrethana ende të pasqaruara.

Kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha ka thënë se në qafën e viktimës janë vërejtur gërvishje, shkruan Express.

Drejtori i Policisë, Nexhmi Krasniqi ka thënë se bazuar në informatat që i kanë marrë nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, Avni Dehari kishte konsumuar barna, kishte rënë në komë dhe duke u dërguar në spital kishte ndërruar jetë.