Në konferencën për të drejtat pronësore të grave, ministrja Dhurata Hoxha inkurajoi ato të mos heqin dorë nga prona.
Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha në konferencën për të drejtat pronësore të grave u bëri thirrje atyre të marrin trashëgiminë që u takon.
“Mos hiq dorë nga e drejta jote, ju keni të drejtë ju them të gjitha grave për të drejtat e tyre pronësore,” tha Hoxha.
Ajo deklaroi më tutje se kushtetuta ua garanton grave të drejtën e trashëgimisë.
”Me Kushtetutën e Republikës së Kosovës gruas i takon e drejta në trashëgimi dhe sipas statistikave të fundit edhe pse jo ligjërisht, gratë janë të diskriminuara,” tha Hoxha.
Ministrja e drejtësisë bëri thirrje që institucionet t’i kushtojnë vëmendje heqjes dorë të grave nga trashëgimia.
“Heqja dorë e gruas nga prona nuk duhet të shndërrohet në shkëputje të gruas nga e drejta në pronë. Institucionet tona do të kenë vëmendje të veçantë ndaj kësaj dukurie. Gratë duhet ta minimalizojnë dukurinë e heqjes dorë nga trashëgimia,” tha ministrja Hoxha, shkruan kallxo.com
Konferenca për të drejtat pronësore të grave është organizuar nga USAID-i.
Sipas kësaj organizate amerikane 73 për qind e njerëzve në Kosovë nuk kanë njohuri për të drejtat e tyre pronësore.
USAID-i ka ardhur në përfundim se vetëm 3.8 për qind e grave në Kosovë trashëgojnë pronë nga prindërit.
Në qershor të këtij viti, “Drejtësia në Kosovë” hulumtoi heqjen dorë të grave nga trashëgimia prindërore në emër të traditës.