Sakte.net / E shtune, 08 Tetor 2016 – 09:25
Në seancën maratonike, e cila ka zgjatur mbi 10 orë , Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Trepçën.
Seanca e cila filloi të premtën në orët e pasditës, e që u përmbyll pas mesnate, ishte ndër të rrallat ku u bën të dy leximet e një projektligji. Njëherësh ajo ishte seanca e parë pas një kohe të gjatë ku punuan së bashku deputetët e subjekteve të pozitës dhe të opozitës.
Ligji i miratuar i Trepçës e bën Qeverinë e Kosovës me 80 për qind dhe punëtorët me 20 për qind të aksioneve të këtij gjiganti të fjetur ekonomik të cilin e priste likuidimi. Deputetët besojnë se kombinati Trepça do të ringjallet dhe do të rikthehet në treg.
Me 79 vota për. asnjë kundër dhe 14 abstenime, deputetët e kaluan Ligjin e plotësuar, i cili ngjalli kundërshtimet e deputetëve të Listës Serbe, që nuk qëndruan deri në fund të seancës së dytë brenda ditës.Vërejtjet më të mëdha për ligjin i kanë pasur deputetët e lëvizjes Vetëvendosje që ka kërkuar që Trepça të quhet Ndërmarrje Publike. Deputetet e kësaj partie kanë abstenuar.
Qeveria e Kosovës dhe administratori i Trepçës, Agjencia Kosovare e Privatizimit, thanë se kombinati “është pasuri e Kosovës”, duke vlerësuar se Beogradi “është i vetëdijshëm se nuk ka asnjë hise në të”. Por, të njëjtin pohim për pasurinë e shprehu edhe Beogradi zyrtar, që kërkoi “përfshirje të kësaj çështjeje, dhe siç thotë, të pasurisë së një numri ndërmarrjesh që i takojnë”, në bisedimet e Brukselit. Opozita në Kosovë, ndërkaq, e cilësoi projektligjin si “të mangët”, sepse e përjashton “Kuvendin nga çdo rol në rastin e Trepçës”.
Ligji në Kuvend u miratua përmes kundërshtimeve të deputetëve serbë dhe protestave të punëtorëve serbë të Trepçës në veri të Kosovës që për tri ditë rresht bllokuan për pak kohë magjistralen Prishtinë-Leposaviq.
Kombinati Trepça dikush ishte njëri nga punëdhënësit më të mëdhenjë të Kosovës.