Gazetar: Adrian Kerimi
– Advertisements –
Byroja për Mjekësi Ligjore akoma nuk e din se si do të veprojë në raport më kërkesën e Gjykatës Penale për shqyrtimin e ekspertizës së përgatitur jashtë vendi me porosi të mbrojtjes në rastin “Alfa”. Në qëndrimin e tyre dërguar për Alsat potencohen të gjitha veprimet ligjore të cilat ka të drejtë t’i ndërmarrë institucioni, duke potencuar edhe faktin se derisa në Maqedoninë e Veriut nuk ka ekspert apo institucion për ekspertiza të veçanta apo super ekspertiza, një gjë të tillë mund ta bëjnë edhe ekspertët e huaj. Por kjo nuk dihet nëse lë të kuptohet se ekspertiza tashmë e përgatitur nga pala mbrojtëse mund të aprovohet nga Byroja e Mjekësisë Ligjore ose jo, shkruan Alsat.
“Do të varet nga vetë kërkesa, përkatësisht kërkesat konkrete që Gjykata Penale do t’i adresojë deri tek Byroja e Mjekësisë Ligjore”, thonë nga Byroja e Mjekësisë Ligjore
Në vitin 2010 për të njëjtën dëshmi materiale, Mjekësia Ligjore kishte konstatuar se nuk posedon aparaturë teknike për pastrimin e video incizimit.
“Byroja e Mjekësisë Ligjore nuk posedon aparaturë teknike e cila do të mundësonte sqarimin (pastrimin) e figurave dhe personave të cilët shihen në video incizim”, Byroja e Mjekësisë Ligjore, lënda numër 2449/09 (24.02.2010)
Në qershor të vitit 2021, mbrojtja në rastin “Alfa” dorëzoi në gjykatë ekspertizën e përgatitur nga Qendra për Hulumtime Forenzike në Serbi. Në konstatimet e tyre potencohet se Agim Islami nuk përputhet me asnjë provë materiale të marra si dëshmi nga gjykata, ndërsa ADN-ja e Rexhail Qerimit është marrë në kundërshtim me ligjin. Drejtori i kësaj qendre, Nenad Shipka kishte deklaruar se ADN-ja e Qerimit nuk është gjetur në vendin e ngjarjes dhe as në veturën me të cilin pretendohet të jetë kryer vrasja e policit shqiptar dhe plagosja e dy të tjerëve në vitin 2008 në parkingun e Fakultetit Matematiko-natyror në Shkup.
Vrasja e policit Afrim Arifi ndodhi më 26 nëntor të vitit 2008. Bashkë me të mbetën të plagosur edhe dy policë të tjerë, Sashe Petrovski dhe Edvard Aleksovski. Në vitin 2010 gjykata dënoi me burg të përjetshëm Rexhail Qerimin, Agim Islamin, ndërsa Almir Derplaninin u dënua në mungesë. Ramadan Shaqiri u dënua me 9 vite burg për logjistikë./Alsat.mk