Ka një muaj që ‘mjeku alternativ’, Hetem Ramadani, po i sfidon mjekët shqiptarë, saktësisht endokrinologët, duke thënë se insulina është helm dhe se diabetin mund ta shërojë brenda pak ditëve me anë të një diete rigoroze. Por, deklarimet se diabeti mund të shërohet, si dhe largimi i insulinës nga pacientët të cilët janë të varur nga kjo terapi, po kundërshtohen nga mjekët kosovarë. Një mjek nga Rahoveci po e paralajmëron Ramadanin që të mos merret me ‘shërimin’ e diabetit tek shtatzënat.
Gjinekologu nga komuna e Rahovecit, Skënder Gashi, ka reaguar ndaj përshkrimit të terapive që Hetem Ramadani, i cili prej disa javësh po i përshkruan tek pacientët të cilët kryesisht po vuajnë nga sëmundja e diabetit. Deri më tani publikisht terapive të Ramadanit i janë nënshtruar katër pacientë me diabet.
Por, mjeku nga Rahoveci gjatë një prononcimi për Gazetën Express e ka këshilluar ‘mjekun alternativ’, Hetem Ramadanin, që të mos merret me kurimin e diabetit te gratë shtatzëna.
“Unë e lus mjekun që të mos merret me mjekimin e shtatzënave se jemi kompetentët për atë punë. Unë si ekspert i gjinekologjisë e lus atë që të mos i fus duart në diabetin e shtatzënave sepse është e paparashikueshme për dy jetë, edhe për jetën e nenës edhe të bebës”, ka thënë Gashi.
Ai po e shesh si të rrezikshme idenë e Ramadanit për ndaljen e insulinës tek pacientët që vuajnë nga diabeti. Thotë se pa insulinë, trupi i njeriut nuk mund të jetojë më shumë se 5 muaj.
“Gjama e organizimit me ndalimin e insulinës merret vesh pas 3-4 muajve. Por Hetem Ramadani nuk guxon të merret me mjekimin e shtatzënave. Po të ndodhte ky rast në Gjermani, ky mjek as 24 minuta s’do të qëndronte në liri”, ka thënë Gashi.
E kundër terapive të Ramadanit, kanë dalë kundër edhe mjekët e QKUK’së. Endokrinologu Elton Bahtiri ka sqaruar se sëmundja e diabetit është e pashërueshme.Sipas tij, mjekimi përmes mjekisë alternative dhe dietave po i vë në rrezik komplet pacientët.
“Sa i përket ‘shërimit të mjekut’ në fjalë, endokrinologet e kanë kundërshtuar dhe vazhdojnë ta kundërshtojnë pretendimin sharlatanesk të shërimit të sëmundjes së sheqerit duke larguar në tërësi barnat antidiabetikë dhe insulinën. Trajtimi me ushqime/dieta është pjesë e rëndësishme e mjekimit për të mbajt nën kontroll sëmundjen e sheqerit. Sidoqoftë, për momentin sëmundja e sheqerit është e pashërueshme (mjekimi dhe shërimi janë dy terme me kuptime të ndryshme)”,ka deklaruar ditë më parë për Express, endrokrinologu, Elton Bahtiri.
Për terapitë e Ramadanit rreth ndërprerjes së insulinës ka reaguar edhe psikiatri Jusuf Ulaj duke thënë se ai po e rrezikon gjendjen shëndetësore të pacientëve me ndaljen e insulinës. Ulaj e kishte quajtur Hetem Ramadanin person me probleme mendore.
Ndryshe, Hetem Ramadani është njëri nga shqiptarët më të pasur në botë. Ai pohon të ketë kryer studimet për toksikologji-patologji, rrezatim, ndotje akustike… Veç kësaj, ai kishte themeluar kompaninë tregtare të naftës “Salbatring International”, pasi kishte migruar në vitet 90’të në Slloveni.