Qeveria krijoi një kompani shtetërore për blerje dhe prodhim armatimesh. Pastaj e ktheu atë në ortake pakice të katër firmave private. Efekti praktik: blerjet më të mëdha në fushën e mbrojtjes bëhen pa tender dhe jashtë kontrollit publik.
Në një nga audioregjistrimet që beri publike dy ditë më parë, ish-zëvendëskryeministri Ahmetaj pretendon se është Roni Yeffet (ky i fundit nuk e ka mohuar vërtetësinë) duke folur me dy ukrainas në janar 2026.
Në rregjistrim dëgjohet Yeffet duke u shpjeguar ukrainasve se si do të zhvillonin një biznes të tregtisë së armëve: armët, që do të siguroheshin diku tjetër, do të importoheshin në Shqipëri, do të ripaketoheshin si prodhime shqiptare dhe pastaj do të rishiteshin në tregjet legale ndërkombëtare.
Yeffet shpjegon se kompania që do bëjë importin në Shqipëri, ripaketimin dhe shitjen e armëve do të jetë Advanced Arms Technology (AAT), kompani e përbashkët shtetërore-private.
AAT është kompania që furnizon forcat e armatosura shqiptare me drone dhe armë të lehta dhe të mesme. 80% e aksioneve të saj zotërohen nga UNO18 që ka ortakë Roni Yeffetin dhe Arjeta Pucon, dhe 20% e aksioneve i zotëron shteti shqiptar përmes kompanisë shtetërore KAYO.
Në një dalje në Kuvend disa muaj pasi bisedës së supozuar, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, deklaroi se kompania Advanced Arms Technology është duke prodhuar armatime të cilat janë shitur dhe po përdoren në disa konflikte që po zhvillohen në botë, pa identifikuar se ku.
Exit.al ka verifikuar se Advanced Arms Technology nuk ka kapacitete prodhuese dhe nuk ka prodhuar kurrë armë.
Shpjegimi i mundshëm i kësaj mospërputhje mund të jetë skema që Yeffet u shpjegoi ukrainasve në janar 2026: armët, që ministri pretendon se janë prodhuar në Shqipëri, vetëm janë ripaketuar si prodhime shqiptare.
Sido që të jetë, pyetja mbetet: si mundet një njeri privat t’u premtojë personave të dyshimtë përfshirjen në tregti ndërkombëtare armësh (Ahmetaj akuzon se është kontrabandë armësh) të një kompanie ku shteti ka pronësi dhe i ka dhënë monopol për furnizimin e forcave të armatosura?
Përgjigjja është shqetësuese, por e thjeshtë: AAT është krijuar qëllimisht që të veprojë jashtë rregullave të funksionimit të shtetit dhe jashtë kontrollit të shtetit, pavarësisht se shteti është aksioner.
Më poshtë po shpjegoj shkurtimisht këtë skemë, të cilën Roni Yeffet në përgjime e quan “modeli KAYO”.
KAYO: mjet për krijimin e kompanive me privatin
Në korrik 2024 parlamenti miratoi një ligj të posaçëm për themelimin e kompanisë ushtarake me pronësi 100% shtetërore KAYO, për prodhimin, tregtimin dhe mirëmbajtjen e armëve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake.
Ligji i lejoi KAYO-s (neni 4 dhe 5) të drejtën të krijojë kompani të përbashkëta me partnerë privatë.
Pikërisht këtë bëri qeveria pas themelimit të KAYO-s në nëntor 2024: miratoi një sërë vendimesh për t’i hapur rrugën KAYO-s të krijonte kompani bija me partnerë privatë.
KAYO krijoi katër kompani të tilla, në periudhën gusht-nëntor 2025.
Është domethënëse se, që nga regjistrimi, KAYO nuk ka zhvilluar ndonjë veprimtari tjetër veç krijimit të kompanive. Bilancet e saj për vitet 2024 dhe 2025 tregojnë zero aktivitet dhe qindra mijëraeuro humbje.
Pra, KAYO ka shërbyer jo për qëllimet me të cilat u justifikua themelimi i saj, por vetëm si mekanizëm për të krijuar kompani publiko-private.
Katër kompanitë publiko-private
KAYO bashkëthemeloi katër shoqëri me firma private të përmbledhura si më poshtë:
Duhet sqaruar, se në marrëveshjen e themelimit KAYO zotëronte 51% të kompanisë Guna Tactical, por në maj 2026, pa ndonjë justifikim, KAYO i shiti partnerit privat 2% të aksioneve.
Me këtë shitje privati kontrollon shumicën e aksioneve dhe, për rrjedhojë, edhe vendimmarrjen dhe drejtimin e kompanisë. Bie në sy që në tre kompani shteti kontrollon një pakicë gati të papërfillshme.
Në të katër rastet, nuk dihet se si KAYO i zgjodhi ortakët privatë. Me përjashtim të MSSC-së, që ka importuar fishekë për policinë e shtetit në të shkuarën, asnjë nga ortakët privatë nuk kanë patur përvojë të mëparshme në fushat përkatëse dhe asnjë kapacitet prodhues apo teknologjik.
Nuk dihet gjithashtu edhe kriteri dhe procesi si u vendos ndarja e aksioneve mes shtetit dhe privatit në raportet e mësipërme.
Kjo është pyetje e rëndësishme, sepse kapitali themelues, që kanë kontribuar ortakëtnë secilën kompani është vetëm rreth 35 mijë euro.
Kjo do të thotë se partneri privat jo vetëm që nuk ka patur as kapacitetet prodhuese dhe teknologjike, por nuk ka sjellë as kapital themelues të konsiderueshëm.
Duhet theksuar gjithashtu se dy nga partnerët privatë, TIMAK dhe UNO18, kanë të njëjtët ortakë, Arjeta Puco dhe Roni Yeffet ndërsa MSSC që është ortaku në dy kompanitë e tjera, zotërohet nga një individ i vetëm, Emiljano Dusha.
Të gjitha faktet e mësipërme meritojnë të hetohen, pasi ka mjaftueshëm dyshime se parnerët kanë qenë të paracktuar dhe janë favorizuar në dëm të interesit publike.
Të katër kompanitë kanë secila ekskluzivitet praktik për furnizimin e forcave të armatosura në fushën e aktivitetit të tyre: TIMAK Defence kryesisht me mjete transporti dhe mjete të tjera ushtarake; Adavanced Arms Technology me dronë dhe armë të kalibrit të vogël dhe të mesëm; MKD me fishekë, predha dhe municione të tjera; dhe Guna Tactical me veshje dhe aksesorë.
Nisur dhe nga përbërja e pronësisë së tyre—dy kompani kontrollohen nga i njejti person dhe dy të tjera nga të njejtët ortakë, këto kompani janë duopol në furnizimin e ushtrisë shqiptare me çdo gjë.
Përjashtimi nga prokurimi publik
Nëse Ministria e Mbrojtjes do t’i blinte vetë armët, mjetet, dronët apo uniformat, do t’i blinte me tender — madje me tender ndërkombëtar.
Nëse blerjet do t’i bënte KAYO, si kompani në pronësi të plotë shtetërore, përsëri do të detyrohej të zbatonte ligjin e prokurimit publik dhe do t’i nënshtrohej auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Por qeveria ka vendosur që blerjet nuk do t’i bëjë as ministria, as KAYO; do t’i bëjnë katër kompanitë e reja — të cilat, duke qenë shoqëri me pjesëmarrje private, nuk u nënshtrohen këtyre standardeve.
Ligji për Prokurimin Publik (neni 4) bën të qartë se ky ligj dhe rregullat publike zbatohen te kompanitë tregtare vetëm kur shteti emëron më shumë se gjysmën e anëtarëve të bordit administrativ, menaxherial apo mbikëqyrës të tyre.
Në të katër kompanitë, shteti emëron pakicën e anëtarëve të bordeve, prandaj ato nuk zbatojnë ligjet dhe standardet e prokurimit publik.
Thënë thjesht: këto kompani mund t’i blejnë produktet që ia shesin qeverisë pa tender, kudo që dëshirojnë dhe me çmimin që vendosin vetë.
Përjashtimi nga kontrolli dhe auditimi shtetëror
Katër kompanitë nuk i nënshtrohen as kontrollit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe auditimeve të tjera shtetërore.
Ligji për Kontrollin e Lartë të Shtetit e përcakton qartë (neni 3, pika 15) se ai ushtron kontroll mbi subjektet tregtare vetëm kur shteti ka mbi 50% të aksioneve. Kjo do të thotë që Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk mund të ushtrojë asnjë kontroll mbi katër kompanitë.
Po ashtu, këto kompani nuk janë objekt i auditimit të brendshëm të Ministrisë së Mbrojtjes apo të institucioneve të tjera që ato furnizojnë, pasi edhe ligji për Auditimin e Brendshëm zbatohet vetëm në kompanitë që kontrollohen ose financohen nga shteti (neni 3).
Veprimtari private pa kufizim dhe mbikqyrje
Ligji u lejon katër kompanive që, përveçse me shtetin, të mund të zhvillojnë aktivitet tregtar me subjekte private. Për këto veprimtari, ato mund të hyjnë në çfarëdo marrëdhënieje biznesi me këdo ent tjetër, njësoj si çdo kompani private.
Duke qenë se kontrolli dhe vendimmarrja në të katër kompanitë janë të privatit, vendimet për këto veprimtari merren nga partnerët privatë pa pasur nevojë për asnjë miratim apo dakordësi nga shteti.
Thënë thjesht, Arjeta Puço dhe Ron Yeffet me TIMAK Defence dhe Advanced Arms Technology dhe Emiljano Dusha në MKD dhe Guna Tactical mund të bëjnë biznes me kë të duan pa asnjë kufizim.
Kjo shpjegon se pse Yeffet flet me siguri të plotë për marrëveshjet me ukrainasit për tregti ndërkombëtare apo kontrabandë ndërkombëtare armësh.
Për më tepër, duke pasur një marrëdhënie ekskluzive me shtetin dhe një pjesë të pronësisë nga shteti, ato fitojnë një besueshmëri shumë të lartë për të hyrë në marrëdhënie me partnerë ndërkombëtarë.
Fitime kryesisht për privatin
Shpenzimet e mbrojtjes, si detyrim ndaj NATO-s, duhet të jenë rreth 2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit— objektivi i NATO-s është të shkojnë deri në 5%.
Kjo do të thotë se buxheti ushtarak i Shqipërisë nga ky vit e në vazhdim do të vi duke u rritur nga afër 600 milionë euro këtë vit.
Duke hequr pagesat për rroga, shumica e buxhetit shkon për investime kapitale përfshi edhe blerjen e mjeteve, armatimeve dhe teknologjive, të cilat do të bëhen nga katër kompanitë e mësipërme.
Kjo do të thotë se këto katër kompanitë do të marrin qindra miliona euro blerje çdo vit për të furnizuar forcat e armatosura, pa llogaritur dhjetëra miliona të tjerë për policinë dhe forcat e tjera të sigurisë.
Përveçse biznes të garantuar qindra miliona eurosh, kompanitë do të kenë liri të plotë për të përcaktuar çmimet e blerjes, madje edhe të shitjes ndaj shtetit.
Ky lloj rregullimi u jep atyre mundësinë që të sigurojnë fitime të larta dhe të sigurta.
Në fund, këto fitime do t’i shkojnë thuajse të gjitha privatit: 80 për qind e fitimeve në tri kompani dhe më shumë se gjysma e fitimeve në kompaninë e katërt, përpjestimisht me përqindjen e pronësisë.
Thënë thjesht: shteti paguan, privati vjel thuajse të gjitha fitimet.
Modeli KAYO me pak fjalë
Modeli Kayo i përshkruar më sipër mundëson:
— Shmangien nga prokurimit publik në furnizimet qindra milionë dollarëshe të forcave të armatosura, policisë dhe institucioneve të tjera me mjete, pajisje dhe teknologji të cilat mund të bëhen pa tender.
— Shmangien e shtetit nga kontrolli shtetëror mbi vendimmarrjen dhe aktivitetin e këtyre kompanive.
— U jep partnerëve dhe drejtuesve privatë të kompanive besueshmërinë dhe mundësinë që të përfshihen në aktivitete me partnerë privatë.
— I çon fitimet e mëdha të kompanive thuajse të gjitha tek privati.
Përfundimi
Mjafton një fjali për të përmbledhur gjithë këtë skemë: privatizimi i prokurimit në fushën e mbrojtjes./Exit.al
The post Modeli Kayo ose privatizimi i prokurimit publik! appeared first on Gazeta Shqiptare Online.





