Mogherini: Britania do të humbasë nga shkëputja e saj prej BE’së

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për Çështjet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini mendon se Britania më shumë do të humbasë sesa do të fitojë nga shkëputja e saj prej bllokut europian.

Gjatë një fjalimi në Universitetin Tsinghua të Pekinit, shefja e diplomacisë europiane e tregoi hapur se çfarë mendon Brukseli për Brexit-in, transmeton tch.

 

“Kam frikë se miqtë tanë britanikë do të dalin më të humbur se ne nga kjo lëvizje, sepse edhe pas largimit të Britanisë, Bashkimi Europian do të vazhdojë të mbetet tregu numër 1 në botë dhe ekonomia e dytë më e madhe e globit. Disa mund t’i referohen dhe sigurisë e mbrojtjes. Është e vërtetë, Mbretëria e Bashkuar është një lojtar shumë i rëndësishëm kur vjen fjala tek kjo çështje, por kontributi i anglezëve në operacionet tona ushtarake nuk është më shumë se 5%. Mund të jetojmë edhe pa të”, tha Mogherini.

Mogherini lavdëroi nga ana tjetër planin kinez “një rrip, një rrugë” të investimeve. Parlamenti britanik votoi pro zgjedhjeve të parakohshme, të cilat, disa analistë i konsiderojnë si një mundësi të dytë dhe shans historik për t’i rivendosur gjërat në vendin e duhur.

Por, vetë kryeministrja Theresa May shpreson që me zgjedhjet ta forcojë pozicionin negociues ndaj BE-së për Brexit-in. Nga Brukseli, megjithatë, duket qartë se nuk do të ketë dhurata, por qëndrime të qarta kundërshtuese dhe fakte transparente.