Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini kohëve të fundit ka rritur kontaktet me Prishtinën dhe Beogradin, në mënyrë që dialogu të fillojë në fundin e muajit qershor.
Agjencia e lajmeve Beta duke u thirrur në burimet e veta, thotë se Mogherini po kërkon nga dy presidentët, Thaçi dhe Vuçiq dialog për zbatimin e marrëveshjeve të mbetura, dhe marrëveshjen përfundimtare.
Përfaqësuesja e BE-së është në pritje të propozimeve nga Kosova dhe Serbia për raundin e ri të dialogut, transmeton lajmi.net.
Burimet e agjencisë serbe kanë theksuar se përmbajtja e marrëveshjes finale ndërmjet dy shteteve do të hartohet në Burksel, por që idetë mirëpriten nga të gjitha anët.
Bashkimi Evropian ende nuk e ka konfirmuar datën zyrtare se kur do të vazhdojë dialogu mes dy shteteve.
Fundi i qershorit dhe fillimi i korrikut është periudha e fundit kur Thaçi dhe Vuçiq do të takohen përsëri.
Dy presidentët ditë më parë kanë bërë të ditur se marrëveshja finale mes dy shteteve do të ketë kompromise të dhimbshme.