Sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj në konferencën për media sot ka thënë se Astrit Dehari nuk vuante nga asnjë sëmundje dhe nuk përdorte tableta.
“Astriti ka shkuar i vdekur në spital. Ai nuk vuante nga asnjë sëmundje. Ai nuk merrte asnjë tabletë.Ne ende nuk kemi qasje për t’i vizituar aktivistët tanë në burg. Pra pushteti po vazhdon persekutimin e aktivistëve të VV-së. Ajo që ndodhi nuk është tragjedi por viktimë e regjimit. Ai ka kërkuar pas dy muajve qëndrimi në burg, që të bëjë një kontroll mjekësor dhe ai ishte plotësisht i shëndetshëm”, ka thënë Molliqaj, raporton Koha.net.
Ai thotë se përgjegjësinë e plotë për vdekjen e Astrit Deharit e mbajnë institucionet e Kosovës, pasi gjithçka kontrollohet kur jeni në burg.
“Dita e djeshme për të gjithë VV-në dhe për mua ka qenë njëra ndër më të vështira për mua. Ajo që ndodhi dje nuk ishte fatkeqësi dhe besoj se të gjithë duhet ta kuptojnë këtë. Ky është rezultat i një persekutimi të pa shoq që ky regjim po iu bën studentëve dhe të gjithë atyre që janë kundër. Në burg nuk ka liri, aty vetëm mendjen e ke të lirë. Çdo gjë tjetër është nën kontroll të institucioneve. Gjithçka është në dorën e institucionit dhe gjithçka që ndodh aty është përgjegjës vet institucioni”, është shprehur Molliqaj.
Molliqaj ka konfirmuar se në ora 17:00 para Teatrit Kombëtar do të bëhet ndezja e qirinjve për nder të Astrit Deharit, me ç’rast do të kërkohet drejtësi për këtë dhe rastet e tjera.
“Në ora 17:00 në sheshin Skënderbeu, para Teatrit Kombëtar, do të bëjmë homazhe për nder të Astrit Deharit dhe do të kërkojmë drejtësi për të gjitha rastet e tilla në Kosovë”, është shprehur ai.