Një grua shtatzënë dhe foshnja e saj kanë vdekur pasi Rusia bombardoi maternitetin ku ajo duhej të lindte, ka mësuar Associated Press. Imazhet e gruas që u dërgua me urgjencë në një ambulancë me barelë kishin qarkulluar nëpë botë, duke pasqyruar tmerrin e një sulmi ndaj më të pafajshmit të njerëzimit.
Në videon dhe fotot e shkrepura të mërkurën nga gazetarët e AP pas sulmit në spital, gruaja u pa duke përkëdhelur barkun e saj të përgjakur teksa shpëtimtarët e futën me nxitim përmes rrënojave në qytetin e rrethuar të Mariupolit, me fytyrën e zbardhur duke pasqyruar tronditjen e saj nga ajo që sapo kishte ndodhur.
Ky ishte ndër momentet më brutale deri më tani në luftën tashmë 19-ditore të Rusisë kundër Ukrainës.
Kirurgu Timur Marin pa se legeni i gruas ishte shtypur dhe ija qe shkëputur. Mjekët e nxorën fëmijën me operacion cezarian, por foshnja nuk tregoi “asnjë shenjë jete”, tha kirurgu.
Më pas, ata u fokusuan te nëna. “Më shumë se 30 minuta për ta ringjallur nënën nuk dhanë rezultate,” tha Marin të shtunën.
“Të dy vdiqën.”
Në kaosin pas sulmit ajror të së mërkurës, mjekët nuk patën kohë të merrnin emrin e gruas përpara se burri dhe babai i saj të vinin për ta marrë trupin e saj.
“Të paktën dikush erdhi për ta marrë atë, thanë ata – kështu që ajo nuk përfundoi në varrezat masive që po gërmoheshin nga numri në rritje i të vdekurve në Mariupol.”
© SYRI.net