Kryqi i Kuq i qytetit të Shkupit së bashku me vullnetarët e ekipit për shpëtim ka zhvilluar një stërvitje simuluese së bashku me Ministrinë e Brendshme për vetëdijesimin e popullatës për parandalimin e mjeteve piroteknike dhe fishekzjarrëve. Në vendin tonë ende është prezente dukuria e përdorimit të mjeteve piroteknike dhe fishekzjarrëve, ndërsa rreth 180 mijë persona në botë pësojnë nga këto mjete. Kryqi i Kuq dhe MPB apelojnë prindërit të mos u lejojnë fëmijëve të tyre përdorimin e mjeteve piroteknike.
“Ne si MPB në bashkëpunim me Kryqin e Kuq me vite bëjmë fushatë dhe vazhdimisht marrim masa për sanksionimin e shfrytëzimit të mjeteve piroteknike dhe fushatë preventive për vetëdijesimin e qytetarëve. Apelojmë para së gjithash prindërit që mos t’u blejnë fëmijëve fishekzjarrë dhe mjete të tjera piroteknike, sepse fishekzjarrët nuk janë lodra. Ato janë të rrezikshme që munden të shkaktojnë invaliditet dhe pasoja tek fëmijët e juaj.”,– tha zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellov.
Në aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues dhe nxënës nga shkolla të mesme me vepra arti në temë “Fishekzjarrët nuk janë lodra, ndaloni përdorimin e mjeteve piroteknike”.