MPB mohon t’i jetë refuzuar kërkesa Kosovës për anëtarësim në INTERPOL

E martë, 08 Nentor 2016  –  Sakte.net  /

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, me ftesë të drejtorit ekzekutiv të INTERPOL-it, po merr pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme, të 85-të të INTERPOL-it, e cila po i zhvillon punimet në Bali të Indonezisë, i është drejtuar sot kësaj asambleje me një fjalë rasti.

Pikë e veçantë në punimet e ditës së sotme ishin kriteret e anëtarësimit të vendeve aplikuese në këtë organizatë.

MPB, përmes një komunikate për media, ka mohuar t’i jetë refuzuar kërkesa Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë, duke hedhur poshtë kështu deklaratat e djeshme të ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq.

MPB bën me dije se këtë vit asambleja po diskuton vetëm për kriteret e anëtarësimit të vendeve aplikuese, “ndërsa varësisht nga kriteret që do të vendosen, votimi do të bëhet gjatë asamblesë së ardhshme të INTERPOL-it, që do të mbahet në nëntor të vitit të ardhshëm në Peking”.

Në fjalën e tij para delegatëve të organit më të lartë të INTERPOL-it, ministri Hyseni paraqiti në detaje arsyetimin e kërkesës për anëtarësim, duke theksuar shkallën e lartë të përgatitjes profesionale të Policisë së Kosovës dhe institucioneve tjera për rend e ligj.

Hyseni ka bërë ftesë që kërkesa e Kosovës për anëtarësim të marrë trajtimin e merituar gjatë vendosjes së kritereve.

Ministri Hyseni, sipas komunikatës së MPB-së, theksoi se Policia e Kosovës është policia më e trajnuar dhe më profesionale në Ballkanin Perëndimor.

Përndryshe, siç thekson MPB, është kjo hera e parë që Republika e Kosovës përfaqësohet si shtet dhe në këtë nivel në AP të INTERPOL-it.

MPB në fund tha se fjala e ministrit Hyseni u ndoq me interesim shumë të madh dhe u përshëndet me duartrokitje të pranishmeve.