MPJ i përgjigjet deklaratës së Daçiqit që tha se edhe një shtet ka tërhequr njohjen ndaj Kosovës

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, deklaroi se një tjetër shtet ka ndryshuar pozicion ndaj shtetit të Kosovës.

Ai ka thënë se Republika Qendrore e Afrikës ka tërhequr njohjen e Republikës së Kosovës.“Republika Qendrore e Afrikës është vendi i 14-të që ka tërhequr, pezulluar ose saktësuar qëndrimin e saj për të mos e pranuar Kosovën”, deklaroi Daçiq.

Ai madje pretendon se ka notën zyrtare të këtij shteti të cilin më parë edhe e kishte vizituar, sipas asaj që thuhet në mediet serbe.

Lajmi.net ka kontaktuar me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe kjo deklaratë e ministrit serb Daçiq është mohuar në mënyrë të prerë.

Këshilltari i ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, Jetlir Zyberaj për lajmi.net tha se është absolutisht e pavërtetë dhe deklaratat e Daçiqit janë të parëndësishme.

“Absolutisht jo edhe pse është shumë e parëndësishme se çka thotë Daçiq. Mashtrimet e tij i kanë parë të gjithë se si kanë rezultuar në të kaluarën”, tha Zyberaj për lajmi.net.

Ai tha se janë në kontakte të vazhdueshme me shtetet që e kanë njohur Kosovën dhe me ato që do ta njohin. Duke thënë se propaganda e Daçiqit nuk ka ndikim në zhvillimet e Kosovës.

“Ne jemi në kontakte të vazhdueshme me të gjitha shtetet që e kanë njohur Kosovën por edhe me ato që pashmangshëm do ta njohin shtetin tonë. Propaganda e Daçiq nuk ka fare ndikim në zhvillimet pozitive të vendit tonë në arenën ndërkombëtare”, tha Zyberaj.

Së fundmi, ministri i jashtëm serb Daçiq ka takuar edhe ambasadorë të Serbisë në vende të ndryshme të Evropës për t’i mobilizuar në lobim kundër Kosovës, përfshirë edhe ambasadorin e vet në Shqipëri.

Si pasojë e kësaj fushate të ashpër të Daçiqit, Kosova dështoi anëtarësimin në INTERPOL vitin e kaluar, ndërsa do të ketë pengesa të mëdha edhe këtë vit.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme